
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi që të mos shkelet rregullorja duke nisur seancën me debat për procesverbalin, pasi deputetët e opozitës morën fjalën duke mos respektuar rendin e ditës.
“Seanca plenare nis me miratim procesverbali dhe kur s’ka vërejtje, quhet i miratuar. Fjala u jepet vetëm deputetëve që propozojnë korrigjim,” sqaroi Balla.
Kreu i grupit socialist tha se ajo që po ndodh në seancën e sotme është pa precedent:
“Kemi mbi 20 minuta që dëgjojmë këtu diskutantë që s’kanë thënë asnjë fjalë për fjalimin e tyre historik të para disa ditëve. Po ndodh një precedent që nuk ka ndodhur ndonjëherë; nuk ka pasur diskutime të këtij lloji në këtë pikë të rendit të ditës. Diskutimet ndodhin pas miratimit të procesverbalit.”
Sipas Ballës, sot ka pasur një diskutim shumë të mirë në konferencën e kryetarëve por ai kërkoi që në këtë seancë të zbatohet rregullorja.
“Tani pak durim. Le të shkojmë te ajo pikë dhe aty është autorizuar kryetari i grupit parlamentar të marrin fjalën. T’i japim fund ketij standarti të çuditshëm që nuk mbahet mend kuvendi të nisë me debat per proceverbalin kur kjo është pjesa më e rregulluuar e rregullores. Merr fjalën dhe thua që kam marrë fjalën dhe ma kanë thënë gabim,” deklaroi Balla gjatë seancës.