
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, gjatë një takimi me qytetarë theksoi se qeverisja e PS-së ka sjellë lehtësira të ndjeshme fiskale për bizneset. Ai kujtoi se në vitin 2013, bizneset e vogla paguanin një barrë të rëndë fiskale, me 20% TVSH dhe 10% taksë të sheshtë, ndërsa sot, falë qeverisjes së Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, ato përfitojnë nga politika e “zero taksës” që do të vijojë deri në vitin 2029.
“E meqë jam në një biznes të vogël, po ju them diçka se njerëzit harrojnë. Ky biznes i vogël ku jemi sot këtu paguante në vitin 2013 dy palë taksa. Njëra ishte: TVSH-ja 20 për qind edhe taksa e sheshtë 10 për qind, pra 10 edhe 20, 30 për qind. Ky biznes i vogël, me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, zero taksa deri në vitin 2029,” deklaroi Balla.
Duke iu referuar opozitës, Balla ironizoi idetë absurde që rezultojnë në gafa elektorale.
“Tani del njëri, që ju e dini që unë s’e kam qejf t’ia përmend emrin se kam mbaruar punë me të, thotë ‘Dëgjo ti, do të ngre tavanin.’ Po çfarë tavani do i ngresh ti? Ky, zero taksa me ne. Si i tha atij tjetrit të dividentit. Dëgjo tha: ‘Dividentin do ta bëjmë 10 për qind.’ Ai i shkreti vuri duart në kokë. Tha: ‘Po ne e kemi 8, si do na bësh ti 10?’ A, pse tha, mirë do ta bëjmë 8. Ti po deshe tha ma hiq fare. Do ta studiojmë. Imagjino ky është ai programi madhështor!” u shpreh Balla me ironi.
Gjatë kësaj jave kryeministri Rama prezantoi edhe paketën e re të “Paqes Fiskale” . Kjo paketë parashikon amnisti fiskale për borxhet e vjetra dhe lehtësi të tjera që synojnë të japin një frymëmarrje të re për bizneset dhe ekonominë.