Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim në Senatin italian me Kryetarin e Komisionit për Politikat e Bashkimit Evropian, Giulio Terzi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Itali.

Gjatë takimit, senatori italian shprehu mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar të Italisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë proces si një “përparësi strategjike për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit dhe të Evropës në tërësi.”

Ai nënvizoi se Italia ndjek me vëmendje progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në.

“Ndjekim me vëmendje dhe vlerësojmë progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave, përfshirë hapjen e kapitullit për agjendën e gjelbër dhe lidhshmërinë e qëndrueshme më 16 shtator, si një hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian,” theksoi Terzi, duke shtuar se objektivi i përbashkët është hapja e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2025 dhe përfundimi i negociatave deri në vitin 2027.

Balla, nga ana e tij, falënderoi autoritetet italiane për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe për rolin e Italisë si një nga partnerët më të afërt dhe më të besueshëm në rrugën drejt integrimit evropian.

Terzi vlerësoi gjithashtu “klimën e ngrohtë të bashkëpunimit dhe koordinimit mes institucioneve parlamentare italiane dhe shqiptare”, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta historike, kulturore dhe politike që lidhin të dy vendet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu