Ministri i Shtetit, Taulant Balla, zhvilloi një takim me Kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Michel Tarran.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ministri Balla deklaron se me ambasadorin Tarran kanë diskutuar mbi progresin e projektit “e-Legislation”, një nismë që synon digjitalizimin e procesit legjislativ në vend.

Sipas Ballës ky projekt ka nisur në vitin 2019, në kuadër të një marrëveshjeje të përbashkët mes Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave, Konfederatës Zvicerane dhe Prezencës së OSBE-së në vendin tonë.

“E-Legislation do të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe integritetit të procesit ligjvënës, duke përmirësuar cilësinë nëpërmjet përdorimit të inteligjencës artificiale,” theksoi ministri Balla.

Portali i ri “e-Legjislacioni”, një platformë moderne për qasje dhe menaxhim të dokumenteve ligjore në kohë reale, u prezantua muajin e kaluar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe është zhvilluar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetje financiare nga qeveria zvicerane, si pjesë e projektit “Mbështetje për e-Legislation në Shqipëri”.

Platforma bashkon në një sistem të unifikuar Kuvendin e Shqipërisë, Këshillin e Ministrave, ministritë përkatëse dhe institucione të tjera, si dhe mundëson ndjekjen në kohë reale të projektligjeve. Rrit transparencën dhe llogaridhënien, përmirëson bashkëpunimin ndërinstitucional, redukton burokracinë si dhe gabimet në përpunimin e akteve, duke e çuar Shqipërinë një hap më pranë standardeve të Bashkimit Europian në qeverisje dhe legjislacion.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu