Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit (KPSA), Taulant Balla, priti në një takim në Kryesinë e Kuvendit delegacionin europian të KPSA-së. Në qendër të diskutimeve ishin procesi i integrimit europian të Shqipërisë, reformat e ndërmarra, zhvillimet ekonomike dhe roli i Kuvendit në këtë proces.

Gjatë takimit, Balla përshëndeti miratimin e Rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si “një sinjal të qartë mbështetjeje politike nga të gjitha grupimet në Parlamentin Europian për procesin e integrimit të vendit”. Sipas tij, rezoluta vlerëson progresin e reformave dhe angazhimin institucional të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Ai theksoi se klima politike në vend po reflekton një frymë bashkëpunimi për çështje madhore kombëtare. “Në seancën plenare të 27 tetorit 2025 u miratuan dy komisionet e posaçme, për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale, me mbështetje të gjerë ndërpartiake — dëshmi e konsensusit dhe bashkëpunimit për procesin e integrimit”, u shpreh Balla.

Në fjalën e tij, ai vlerësoi gjithashtu zhvillimet pozitive në ekonomi dhe turizëm. “Shqipëria po njeh rritje të qëndrueshme ekonomike. Zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor ka sjellë vlerësimin më pozitiv në rajon — Shqipëria ka përmbushur 21 nga 41 kushtet, duke siguruar 99.3 milionë euro në grante dhe hua,” tha Balla.

Në lidhje me rolin e Kuvendit, ai nënvizoi se institucionet shqiptare janë të përkushtuara për ta çuar përpara procesin e integrimit me transparencë dhe përfshirje të opozitës. “Ndryshimet në ligjin për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit europian garantojnë përfshirje të opozitës dhe rrisin transparencën parlamentare. Kuvendi mbetet aktor kyç në monitorimin e reformave dhe në harmonizimin e legjislacionit me acquis communautaire të BE-së,” theksoi ai.

Takimi u mbyll me mesazhin se Shqipëria do të vijojë të forcojë bashkëpunimin me institucionet europiane dhe të përshpejtojë hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu