Fundjavën e parë të fillimit të regjistrimit të votuesve nga jashtë për zgjedhjet e 11 majit, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ishte me shqiptarët në Bari, të cilëve u dha mesazhin se diaspora ka meritë të veçantë në zhvillimin e Shqipërisë, ndaj tani duhet të regjistrohen për të mbështetur progresin e saj.
Mes gati 21 mijë emigrantëve që jetojnë sot në rajonin e Puljas, ka edhe bashkatdhetarë që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme, por dhe artistë si Agim Nebi, që ka punuar në mozaikun te Muzeu Kombëtar, apo dhe futbollisti i kombëtares, Ylber Ramadani, që aktivizohet në serinë A me Leçen.

yacht hotel sarande

Balla përmendi faktin se prej shumë vitesh kemi raport shumë të fortë me rajonin e Puljas, sikurse me qeverinë italiane dhe u dakordësua edhe gjatë kësaj vizite, që të rritet bashkëpunimi.
“Vlora dhe Pulja duhet të intensifikojnë raportet dhe shumë shpejt jo si dy pjesë të ndryshme, por si dy pjesë të njëjta të familjes së Bashkimit Europian. Brenda vitit 2030, porti i Durrësit dhe Vlorës do jenë porte të Bashkimit Europian, falë punës kolosale dhe kontributit të bashkatdhetarëve tanë, por dhe i qeverisë së drejtuar nga kryeministri Rama,” deklaroi Balla në Teatrin Forma të Barit, në sallën e mbushur me emigrantë shqiptarë.

Italianët e kanë parë ndryshimin e Shqipërisë, tha Balla, duke folur për turizmin dhe zhvillimin ekonomik në Shqipëri, ku rritja ekonomike është trefishuar nga viti 2013. Ndaj Partisë Socialiste, sipas tij, i duhet një mandat i ri më 11 maj.

“Gjithë këto tridhjetë vite, historia ka treguar që kemi ndërtuar shtet, që kemi bërë reforma, që kemi afruar Shqipërinë me Bashkimin Evropian, me NATO-n, por është edhe një palë tjetër që sa herë i ka rënë pushteti në dorë, ose i ka vënë zjarrin, ose i ka bërë keq. Dhe prandaj ky mandat i ri, që fillon më 11 maj, është një mandat i cili duhet të konsolidojë dhe ta bëjë të pakthyeshëm progresin që kemi arritur deri tani, që brenda vitit 2027 të mbyllim negociatat për në BE. Prandaj, është koha që të mos harrojmë se premtimet e pabaza janë gënjeshtra dhe që sot, në Shqipëri ka vetëm një forcë politike ku mund ta investosh votën tënde me besim, ajo është Partia Socialiste, të tjera nuk ka,” tha Balla.

Partia Socialiste, si e majta europiane e Shqipërisë, kujdeset për ata që kanë më shumë nevojë, tha më tej Balla, duke u ndalur te marrëveshja e pensioneve me Italinë, ku falënderoi ata që e mbështetën në parlamentin italian.
“Java që kaloi ishte përfundimi i votimit në Dhomën e Deputetëve. Shpresoj që në 2-3 javët e ardhshme ta mbyllë edhe senati dhe 500 mijë shqiptarë që kanë jetuar, jetojnë dhe punojnë në Itali në këto 34 vite, t’u njihet çdo ditë pune që kanë bërë qoftë në Itali, qoftë në Shqipëri, për efekt pensioni.”

Balla u ndal edhe te marrëveshja për emigrantët me qeverinë Meloni, duke thënë se Shqipëria këtë e bën vetëm me Italinë sepse u kemi shumë borxh, se asnjëherë nuk harrojmë si na mikpriti në vitin 1991. Balla e falënderoi Italinë edhe si mbështetëse të integrimit të Shqipërisë.

Në këtë fundjavë të parë të fillimit të regjistrimit të emigrantëve për zgjedhjet e 11 majit, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën deklaroi se ky proces do të bëjë të mundur që, p.sh., kur të numërohen votat e vlonjatëve në Vlorë, të numërohen edhe ato të vlonjatëve që jetojnë jashtë, ndërsa në adresë do t’ju vijë fleta e votimit nga qyteti i origjinës.
“Ti që e ke vendbanimin në Shkodër, do votosh për Listën e Shkodrës. Ti që e ke vendbanimin në Vlorë, do votosh për të Vlorës.”
Pasi shpjegoi hapat konkretë të hyrjes në faqen e KQZ për regjistrim, Balla i dha përgjigje edhe interesit të diasporës për t’u përfaqësuar në këtë legjislaturë me deputetë, duke thënë se ne donim që ta ruanim barazinë e votës dhe prandaj kemi thënë që vota e secilit do të llogaritet në qarkun përkatës.

A do të ketë Partia Socialiste në listat e veta kandidatëve përfaqësues nga diaspora?
Patjetër që do të ketë, tha ai, duke u kërkuar emigrantëve që të votojnë për të treguar se sa shumë jemi dhe t’i japim legjitimitet parlamentit.

Të dhënat e para të ditës së parë të regjistrimit, sipas Ballës, janë impresionuese. “Pati 3 mijë aplikime ose hyrje në sistem për të hapur llogari të cilat janë duke u shqyrtuar.”

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën u tregoi shqiptarëve në Bari se duhet konsensusi i opozitës tanimë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, në mënyrë që qeveria shqiptare të realizojë atë që ka marrë përsipër, edhe pagesën e postimit të fletëvotimit nga secili votues.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu