
Ministri i Shtetit Taulant Balla ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura.
Përmes një postimi në rrjetrt sociale ministri Balla theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve, duke vlerësuar lart mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Vlerësojmë mbështetjen pakursyer të Spanjës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda vitit 2030,” u shpreh Balla, duke shtuar se kjo është një dëshmi e fortë e besimit dhe partneritetit të ngushtë mes dy vendeve.
Ministri nënvizoi gjithashtu rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve spanjollë që vizitojnë Shqipërinë, si dhe shtimin e interesit të bizneseve spanjolle për tregun shqiptar. “Këto janë tregues të qartë të hapave të mëdha që po hedh Shqipëria dhe rritjes së besueshmërisë së saj ndërkombëtare,” theksoi ai.
Takimi u zhvillua në një klimë miqësore dhe konstruktive, duke konfirmuar angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.