
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla priti në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, z. Nick Abbott.
Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në një sërë fushash, si dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
“U takova me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar Nick Abbott me të cilin bashkëndamë vlerësimin për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në shumë fusha, organizata ndërkombëtare, ku nënvizojmë fushën e sigurisë si anëtarë të NATO-s por edhe për bashkëpunimin policor. “ shkruan Balla në rrjete sociale lidhur me takimin.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS shprehu krenarinë për integrimin e suksesshëm të diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe.
“Jemi shumë krenarë për integrimin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe në jetën ekonomike, sociale, kulturore, tanimë edhe në jetën politike me shqiptaro-britanikë që kandidojnë për partitë politike britanike.”
Në takim u theksua se diaspora shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar mbetet një urë e rëndësishme lidhëse mes dy vendeve, duke kontribuar në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.






