
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dënoi me tone të forta sulmin e ndodhur në Kuvend ndaj Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri.
“E dënoj ashpër sulmin që sapo ndodhi në këtë foltore kundrejt Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri. Ky sulm i përsëritur nga i njëjti individ prej 35 vitesh, kundër ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kundër ambasadorëve të vendeve mike dhe tani kundër ambasadorit të Bashkimit Europian, bie ndesh me parimet e Konventës së Vjenës dhe me interesin kombëtar të Shqipërisë, sepse BE mbetet partneri ynë më i rëndësishëm dhe sepse Shqipëria brenda vitit 2030 do të jetë anëtare e BE-së,” – deklaroi Balla. Ai shtoi se pavarësisht orientimit të kundërt të disa individëve, aspirata për Shqipërinë europiane është e pandalshme: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa.” Balla njoftoi gjithashtu se do të depozitohet një kërkesë në Komisionin e Etikës, në mënyrë që deputeti në fjalë të japë shpjegime dhe Kuvendi të ndalë përfundimisht sulmet ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Në vijim të fjalës, Balla akuzoi opozitën për manipulim të debatit lidhur me ligjin për barazinë gjinore dhe anti-diskriminimin, duke theksuar se ky ligj është miratuar në vitin 2010 me firmën e Sali Berishës dhe se në Republikën e Shqipërisë “ka vetëm burra dhe gra”.
Ai kujtoi se Konventa e Stambollit është firmosur nga Berisha në vitin 2011 dhe ratifikuar në 2012, ndërsa shtoi se “politizimi i kësaj çështjeje nuk ka asnjë lidhje me përmbajtjen e ligjit”. “Gratë dhe burrat e këtij vendi do të paguhen njësoj, dhe ky është qëndrimi i kësaj shumice që ka sjellë numrin më të madh të grave në parlament që nga viti 1920,” – u shpreh Balla. Ai e cilësoi “gënjeshtër” interpretimin e opozitës për “përkatësinë e shumëfishtë”, duke sqaruar se ajo lidhet me diskriminimin social, jo gjinor. Kreu i grupit socialist përmendi gjithashtu rritjen historike të buxhetit të shtetit,me fonde të shtuara për pensionet, shëndetësinë dhe mbrojtjen, duke sfiduar opozitën: “Tani për çfarë do votoni kundër? Për 100 milionë euro shtesë për pensionet apo për 820 milionë eurot e shëndetësisë?”
FJALA E PLOTË
E dënoj ashpër sulmin që sapo ndodhi në këtë foltore kundrejt Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri. Ky sulm i përsëritur nga i njëjti individ prej 35 vitesh, kundër ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kundër ambasadorëve të vendeve mike dhe tani kundër ambasadorit të Bashkimit Europian këtu, bie ndesh me parimet e Konventës së Vjenës dhe me interesin kombëtar të Shqipërisë, sepse Bashkimi Europian mbetet partneri ynë më i rëndësishëm dhe sepse Shqipëria brenda vitit 2030 do të jetë anëtare e BE-së. Pavarësisht orientimit tuaj aspak në favor të kësaj aspirate historike, ne duam ta shohim Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian. E duam Shqipërinë si gjithë Europa.
Sa i përket këtij sulmi, zoti Kryetar i Kuvendit, ne do të depozitojmë kërkesë pranë Komisionit të Etikës së Kuvendit të Shqipërisë, që deputeti në fjalë të japë shpjegime, por edhe që Kuvendi ta ndalë njëherë e përgjithmonë sulmet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë se një nga arsyet e shpalljes “non grata” të zotërisë është pikërisht sulmet e përsëritur kundër ambasadorëve.
Sa i përket çështjeve që u thanë, zoti Zotëria sapo gënjeu publikisht.
Gjithçka që dëgjuat nuk i referohet ligjit për të cilin votohet sot. I referohet ligjit për anti-diskriminimin, të miratuar në vitin 2010, me firmën e Sali Berishës. Ja ku e kam ligjin këtu, dhe i ftoj të gjithë ta lexojmë këtu.
Zonja dhe zotërinj, qytetarë shqiptarë, motra dhe vëllezër, burra dhe gra të këtij vendi, në ligj sanksionohet qartë se gjinia në Republikën e Shqipërisë ka vetëm burra dhe gra.
Kjo çështje është rregulluar me amendamentin e propozuar prej meje dhe dy kolegëve të tjerë. Dhe për këtë amendament që gjoja u kundërshtoka informoj publikun shqiptar se do ta nxjerri “lakuriq” atë që gënjen sot-është Konventa e Stambollit, e firmosur nga Sali Berisha në vitin 2011 dhe e ratifikuar nga Kuvendi në vitin 2012.
Ratifikimin e kam votuar edhe unë, nuk jam burracak, por kam mbajtur të njëjtin qëndrim që mbajta dhe sot.
Politizimi i kësaj çështjeje nuk ka asnjë lidhje me përmbajtjen e ligjit. Ky ligj thotë qartë se në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë më gra që paguhen më pak se burrat vetëm pse janë gra.
Gratë dhe burrat e këtij vendi do të paguhen njësoj, dhe ky është qëndrimi i kësaj shumice parlamentare që sot kemi shumë më shumë gra në këtë parlament se sa kishim në 2005, që sot kemi numrin mëtë madh që nga viti 1920 dhe synimi ynë është që një ditë të kemi 70 burra dhe 70 gra si kemi arritur tashmë në këshillat bashkiakë.
Ai që del sot kundër këtij ligji është kundër barazisë gjinore në Republikën e Shqipërisë, kundër grave në parlament dhe në këshillat bashkiakë.
Ngreje kokën o namuzqar, o Sali!
Sa i përket “përkatësisë së shumëfishtë”, gënjeve. E kemi rregulluar në bazë të ligjit të anti diskriminimit. Por ti je gënjeshtar dhe ti nuk e di fare që nuk ka përkatësi të shumëfishtë gjinore.
Përkatësia e shumëfishtë është kur: unë jam një vajzë e dhunuar, e abuzuar seksualisht, jam një vajzë rome, ose një vajzë që jeton në periferi, dhe përkatësia e shumëfishtë e imja është që më kanë rënë mbi supe të gjitha këto halle.
Kjo është ajo që nënkupton “përkatësia e shumëfishtë” sipas ligjit për anti-diskriminimin që ju vetë e keni votuar.
Z.Kryetar i Kuvendit unë e mirëkuptoj që e përballoni dot këtë debat, por nuk mund të pranoj këtë që ndodh këtu.
Kur flet dikush nga këta, asnjë nga ne nuk flet — janë dy këtu që “lehin”, gjë të cilën unë nuk e pranoj dot.
O vihet një rregull: kur flasim ne, flasim ne; kur flisni ju, flisni ju.
Sa i përket kalendarit, sepse për ne është më i rëndësishëm. Ky është buxheti më i madh në historinë e vendit. Sa për ta krahasuar se ju matematikën e keni nga ish kryetari, tre herë më i madh se buxheti që le ti kur ike; 8.9 miliardë euro që ti nuk e imagjinoje dot. Tani për çfarë do votoni kundër ju? Do votoni kundër 130 milionë euro për rimbursimin e medikamenteve, apo kundër 100 milionë eurove shtesë te buxheti i pensioneve? Shko thuaja gjyshes tënde; guxo dhe thuaja që je kundër. 820 milionë euro buxheti i shëndetësisë si asnjëherë tjetër në histori. dilni përditë bërtisni: duam ilacet e onkologjikut. Dilni votoni pra se e kemi dyfishuar.
Ju asnjëherë nuk e keni dashur atdheun tuaj,(e kam me atë) sepse e keni tradhtuar, e keni tradhtuar sa herë ju është dhënë mundësia. Prandaj paguheni ju për duatrokitje. Se unë flas për atë, ti e kupton kur del nga salla.
580 milionë euro është buxheti i mbrojtjes, ose 10 herë më i lartë se kur ikët ju nga qeverisja e vendit. Prandaj, ftesa jonë është që ta votoni buxhetin, pavarësisht rregullit të pashkruar politik, që opozita zakonisht voton kundër buxhetit dhe kundër përbërjes së qeverisë.
Dhe për ta mbyllur, dua të them se Saliu i urren gratë, nuk i do në politikë. Nëse do të kishit minimumin e sinqeritetit, do ta pranonit. Asnjë propozim, asnjë amendament nuk ka ardhur nga ana juaj. Në parlament bërtisni, ndërsa nëpër tavolina thoni: “Jemi dakord, por s’kemi ç’të bëjmë.”







