
Në takimin ndërgjegjësues të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian dhe European Movement Albania (EMA), Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Shqipëria ka hyrë në fazën më historike të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave.
Balla e cilësoi këtë javë si një moment të jashtëzakonshëm për vendin.
“Jemi në mes të një jave e cila ka filluar më bukur nuk ka më për Shqipërinë, po të kemi parasysh se ditën e hënë Shqipëria hapi dhe grup-kapitullin e fundit të bisedimeve me Bashkimin Europian,” tha ai, duke shtuar se vetëm një vit më parë ky hap dukej i pamundur.
Sipas tij, dinamika e procesit të negociatave të Shqipërisë është bërë tashmë shembull në BE.
“Kemi shënuar deri tani një rekord sa i përket hapjes dhe besoj që do ta mbyllim me një rekord, duke qenë vendi që ka negociuar më shpejt se të gjitha vendet e tjera marrëveshjen e anëtarësimit në Bashkimin Europian.”

Balla theksoi se faza e mbylljes së kapitujve kërkon një intensitet të paprecedent të reformave dhe ndryshimeve ligjore.
“Nga këto ditë deri në Krishtlindjet e këtij viti na duhet të miratojmë në Kuvendin e Shqipërisë mbi 35 ligje… ndërsa deri në mesin e vitit 2027 na duhet të mendojmë 500 ligje,” u shpreh ai, duke sqaruar se pjesa më e madhe janë ndryshime teknike për përafrim me acquis të BE-së.
Kreu i grupit të shumicës theksoi se çdo politikëbërje në këtë fazë duhet të udhëhiqet nga standardet e të drejtave të njeriut.
“Gjithsecili prej nesh politikëbërësve duhet të mos harrojmë kurrë që gjëja kryesore, të cilës duhet t’i referohemi, janë të drejtat e njeriut. Ato nuk janë thjesht standarde për BE-në, por reforma që i bëjnë mirë Shqipërisë.”
Ai mori si shembull debatin e ditëve të fundit për ligjin e barazisë gjinore, duke nënvizuar se deformimi publik nuk duhet lejuar të errësojë qëllimin real:
“Dikush kap një fjali dhe e shtrembëron… Ligji kishte në themel pabarazitë e akumuluara mes burrit dhe gruas, vajzës dhe djalit, edhe në vendin e punës.”
Balla theksoi se anëtarësimi në BE duhet parë si rikthim natyral i Shqipërisë në familjen europiane:
“Fjalën ‘integrim europian’ e zëvendësoj me ‘ribashkimin e Shqipërisë me Europën’, sepse jemi një vend ndër kombet më të vjetra të Europës.”

Në fjalën e tij, Balla ndaloi edhe te hapat institucionalë për forcimin e demokracisë dhe lirisë së shprehjes. Në Kuvend është ngritur Komisioni i ri për të Drejtat e Njeriut dhe Informimin Publik, me synimin për avancimin e standardeve demokratike dhe mbrojtjen e gazetarëve.
“Komisioni ka marrë brenda vetes edhe një element të rëndësishëm që ka të bëjë me lirinë e shprehjes, me mjetet e informimit publik. Po hartojmë një paketë ndryshimesh që synojnë dekriminalizimin e plotë të shpifjes kur ajo vjen nga gazetarë apo media.”
Në përmbyllje, Balla theksoi se integrimi europian është konsensus i plotë kombëtar:
“Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku në Parlament nuk ka asnjë forcë politike me qasje kundër anëtarësimit në BE. Cilado forcë politike me një qasje të tillë nuk do ta kalonte pragun elektoral.”
Ai shtoi se ky konsensus i gjerë është një forcë unike që i shton besimin se Shqipëria do ta mbyllë procesin e negociatave po aq shpejt sa i hapi kapitujt.
“Mbetemi të angazhuar të gjithë, jo vetëm 83 deputetët e shumicës, por të gjithë deputetët në Kuvendin e Shqipërisë, sepse procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian është një proces që ka qenë dhe mbetet aspirata e të gjithë shqiptarëve, në këtë proces ribashkimi me Europën. Mos harrojmë asnjëherë që në vitin 1990, pra fiks 35 vite më parë, studentët ishin iniciuesit kryesorë të proceseve të ndryshimeve demokratike me thirrjen “Duam Shqipërinë si gjithë Europa”.







