
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, në emër të qeverisë, paraqiti sot në Kuvend projektligjin për aderimin e Shqipërisë në marrëveshjen shumëpalëshe për bashkëpunimin dhe koordinimin në kërkim-shpëtimin ajror mes vendeve të Europës Juglindore.
Balla tha se gjatë dekadës së fundit Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në përmirësimin dhe intensifikimin e shërbimeve ajrore, si për qytetarët vendas, ashtu edhe për vizitorët.
Ai përmendi të dhënat e Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI Europe), sipas të cilave Shqipëria, në vitin 2025, ka pasur rritjen më të madhe në Europë për trafikun ajror direkt, me një rritje prej 200 për qind krahasuar me periudhën para pandemisë.
“Kjo rritje na ka pozicionuar në krye të rajonit, duke tejkaluar edhe aeroporte që dikur ishin shumë përpara nesh,” tha ai, duke theksuar se pas aeroportit të Kukësit, së shpejti do të jetë funksional edhe aeroporti i Vlorës, duke pasuruar portofolin ajror të Shqipërisë.
Balla theksoi se kjo marrëveshje, e nënshkruar në Ohër në shkurt të vitit 2023, forcon sigurinë ajrore rajonale dhe përfaqëson një hap konkret drejt harmonizimit të procedurave dhe rritjes së kapaciteteve të përbashkëta në përballimin e emergjencave ajrore.
“Si anëtare me të drejta të plota e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), Shqipëria konfirmon angazhimin për zbatimin e standardeve ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit. Me këtë marrëveshje kalojmë nga angazhimet politike në veprime konkrete rajonale,” tha Balla.
Ai njoftoi se në vitin 2026 Shqipëria do të marrë drejtimin e Komitetit Këshillues Rajonal për Kërkim dhe Shpëtim Aeronautik (RASARAC), duke udhëhequr bashkëpunimin teknik dhe politik në rajon.
Në vijim, Balla u ndal te nevoja për përfshirjen e Kosovës në këto nisma shumëpalëshe:
“Edhe pse Kosova ende nuk është anëtare e Konventës së Çikagos, në logjikën e sigurisë kolektive nuk mund të ketë zona të pambuluara për shpëtimin e jetëve njerëzore. Shqipëria është e angazhuar që, së bashku me institucionet kosovare, të sigurojë pjesëmarrjen e saj në këto nisma,” u shpreh ai.
Në fund të fjalës, ministri kritikoi bojkotin e opozitës në seancë, duke shtuar:
“Fakti që në sallë kanë mbetur vetëm deputetët e PS-së është një tregues domethënës. Nëse dëshiron që vota jote të shkojë në dobi të punëve të mira për qytetarët, voton PS. Nëse mendon se ora 17:00 është e përshtatshme për gjumë, atëherë voto ata që janë larguar nga salla dhe ashtu do ta kesh edhe në 2029 e 2033,” përfundoi Balla.