
Ministri i Shtetit, Taulant Balla, ka reaguar publikisht në mbështetje të protestës që do të mbahet nesër, më 7 gusht (e enjte), ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke shpërndarë posterin zyrtar të thirrjes dhe duke dhënë një deklaratë të fortë politike në mbrojtje të luftës çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shkruan:
“#Liriakaemër👐🏼🇦🇱 Lufta çlirimtare si çdo luftë për liri është një luftë e drejtë. Historia nuk mund të rishkruhet me padrejtësi. Kosova dhe mbarë kombi respektojnë çlirimtarët 🇽🇰🫶🏻🇦🇱”
Deklarata e tij është shoqëruar me posterin e protestës, ku theksohet mesazhi:
“Protestë kundër padrejtësisë!”
Ndërkohë, nesër nga ora 17:00, organizatat që përfaqësojnë veteranët e UÇK-së kanë paralajmëruar një protestë në Prishtinë, me moton “kundër padrejtësive” që, sipas tyre, po u bëhen ish-drejtuesve të luftës që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Protesta vjen në kohën kur është bërë e ditur se Gjykata Speciale ka pranuar dokumente nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), të cilat do të përdoren si dëshmi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Aktualisht, Dhomat e Specializuara kanë marrë pushimet e verës deri më 15 gusht dhe gjatë kësaj periudhe janë pezulluar edhe konferencat javore për media por megjithatë kjo gjykatë publikoi sot një video-mesazh për mbrojtjen e dëshmitarëve.