
Ministri i Shtetit, Taulant Balla ka përcjellë sot në Kuvend një mesazh të rëndësishëm mbi progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke cituar vlerësime shumë pozitive.
“Nëse do t’i referoheshim miratimit të raportit të djeshëm në komisionin e politikës së jashtme të Parlamentit Europian dhe fjalës së iniciuesit ose hartuesit të raportit, mikut të mirë të Shqipërisë, Andreas Schieder, që tha: ‘Shqipëria me krenari mund të quhet një nga favoritët kryesorë ndër vendet kandidate për anëtarësim në BE.’ Kjo i thotë të gjitha,” – deklaroi Balla.
Duke iu referuar pritshmërive konkrete të qeverisë shqiptare, Balla informoi deputetët mbi objektivat ambiciozë që janë vënë për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit:
“Dua të informoj Kuvendin edhe për pritshmëritë tona sa i takon përmbylljes së këtij procesi. Synojmë brenda këtij muaji të hapim të gjitha kapitujt dhe të mbyllim marrëveshjen para Krishtlindjeve 2027. Dhe kur të vijmë në Kuvend për të prezantuar buxhetin për vitin 2028, të kemi përmbyllur të gjithë kapitujt e marrëveshjes për anëtarësim dhe të ecim përpara me procesin e ratifikimit nga vendet anëtare.”
Vlerësimi i raportuesit Schieder konsiderohet një sinjal inkurajues që reflekton seriozitetin dhe përkushtimin e vendit tonë për të përmbushur kushtet për anëtarësim të plotë në BE.