
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka pritur sot në Kuvendin e Shqipërisë sipërmarrësin shqiptaro-kanadez Luan Xhaferri, një nga përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Toronto, Kanada.
Balla përshëndeti gjithashtu interesin e sipërmarrësit Xhaferri për të investuar në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një sinjal pozitiv për lidhjen e diasporës me vendin.
“Mirëprita sot në Kuvendin e Shqipërisë një nga përfaqësuesit e nderuar të komunitetit shqiptaro-kanadez sipërmarrësin e suksesshëm Luan Xhaferri. Është për tu përshëndetur dhe lavdëruar iniciativa dhe dëshira e Luanit për të investuar në Shqipëri në disa projekte që po i konkretizon hap pas hapi. ” tha Balla.
Duke vlerësuar rolin e diasporës shqiptare, Balla theksoi se komuniteti shqiptaro-kanadez është shndërruar vit pas viti në një komunitet të respektuar dhe të suksesshëm.
“Në Toronto, Kanada është krijuar prej fillim viteve ’90, duke u rritur vit pas viti, një komunitet i respektuar bashkatdhetarësh, të cilët shkëlqejnë me integrimin e tyre të plotë dhe suksesin në shumë fusha,” u shpreh Balla.






