Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka pritur sot në Kuvendin e Shqipërisë sipërmarrësin Edmond Metaj, një shqiptar i suksesshëm që jeton dhe punon në Naples, Florida.

Balla e cilësoi Metajn shembull të arritjeve të diasporës shqiptare, duke theksuar se sukseset e tyre  nuk janë vetëm histori personale frymëzuese.

“Suksesi i shqiptarëve të diasporës është sukses dhe krenari për Shqipërinë,” u shpreh Balla, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së lidhjeve të forta me bashkatdhetarët kudo që ndodhen.

Roli i diasporës shqiptare sipas Ballës është thelbësor jo vetëm për promovimin e imazhit të vendit, por edhe për kontributin që ajo jep në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror të Shqipërisë.

Si drejtues politik i Partisë Socialiste për Diasporën gjatë zgjedhjeve të fundit, Taulant Balla është një nga figurat që ka mbajtur kontakt të drejtpërdrejtë me komunitetet shqiptare jashtë vendit, duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në proceset demokratike dhe në zhvillimin e Shqipërisë. Vizita e sipërmarrësit Edmond Metaj në Kuvend u pa nga Balla si vazhdimësi e këtij bashkëpunimi dhe dëshmi e potencialit të madh që ka diaspora, e cila për herë të parë votoi këtë vit duke kontribuar në një fitore historike për Partinë Socialiste.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu