
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ka deklaruar sot se përqindja e kthimit të votave të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është ndër më të lartat në rajon, duke e cilësuar këtë si një sukses për të gjithë procesin zgjedhor.
“Nga komunikimet me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, konfirmohet se koeficienti i kthyeshmërisë së votave të diasporës është shumë i lartë dhe, në fakt, ndër më të lartët në rajon. Është një tregues pozitiv për pjesëmarrjen dhe angazhimin qytetar të bashkatdhetarëve tanë”, u shpreh Balla në një prononcim për Euronews Albania.
Balla u shprehu mirënjohjen të gjithë vëllezërve dhe motrave në diasporë.
Ai theksoi gjithashtu se kodi zgjedhor përcakton qartë se numërimi i votave të diasporës kryhet paralelisht me atë të qarqeve përkatëse në Shqipëri. “Në momentin që fillon numërimi në qarkun Kukës, fillon edhe numërimi i votave të diasporës për Kukësin”, sqaroi Balla. Në lidhje me situatën në Korçë, ai theksoi se edhe aty strukturat janë drejt përgatitjes për të nisur procesin.
“Populli ka folur, diaspora ka folur. Tani na takon të gjithë aktorëve që të presim me qetësi dhe të respektojmë vullnetin e tyre”, përfundoi Balla, duke shprehur mirënjohje për kontributin e diasporës në këtë proces zgjedhor.