
Në një replikë me opozitën gjatë seancës plenare në Kuvend, ministri i Shtetit, Taulant Balla, ka reaguar ndaj akuzave për parregullsi në zgjedhjet e fundit, duke i cilësuar pretendimet si të pavërteta dhe politikisht të motivuara për të shmangur llogaridhënien për humbjen brenda Partisë Demokratike.
“Ju e keni të vështirë të aplikoni ‘nenin Basha’, e kuptoj shumë mirë çfarë po përpiqeni të bëni,” u shpreh Balla, duke iu referuar përpjekjeve të opozitës për të kontestuar rezultatin e zgjedhjeve.
Ministri i akuzoi përfaqësuesit e opozitës se janë turrur pas 130 mijë votave imagjinare.
Balla iu drejtua deputetit Flamur Noka, duke theksuar se “gjurmimi i votës është vepër penale dhe e dënueshme,” dhe e sfidoi atë që, nëse ka prova për manipulim të votës, t’i dorëzojë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
“Më kishin thënë që e kishte thënë Flamuri në një studio. Se Flamuri paska futur 500 GPS në zarfa dhe këto GPS na paskan mbetur në Londër. O Flamur, kjo që thua ti është vepër penale, sepse identifikimi dhe gjurmimi i votës është vepër penale. Kjo që bën ti është e dënueshme, dhe nëse ke prova, përse nuk shkon t’i dorëzosh në Prokurorinë e Posaçme? Shko atje, sepse juridiksioni i përgjithshëm nuk ka kompetencë për këtë çështje,” deklaroi Balla.
Ai shtoi se opozita po shmang debatin e brendshëm për humbjen dhe duhet të merret me votat e veta.
“Zgjedhjet kanë përfunduar! Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë 856.177 vota. Ju keni 529.354 vota, diku te 300 mijë e kusur më pak. Se ku ju kanë shkuar votat, gjeni ku i keni votat tuaja!”