Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, denoncoi lobimin prej 6 milionë dollarësh të Berishës në SHBA, për të hequr një njollë që, sipas tij, nuk mund të zhduket kurrë.
“Si ka mundësi, ku i gjen Sali Berisha 6 milionë dollarë për të paguar për të hequr ‘njollën’?! Si ka mundësi që një politikan që është nën akuzë për korrupsion, SHBA e shpallën non grata pikërisht për korrupsionin në shuma të mëdha dhe në sabotimin e demokracisë, sot ky njeri, pa asnjë lloj shpjegimi nxjerr 6 milionë dollarë. Ku i gjeti këto para, për të hequr këtë njollë të zezë, edhe pse ju e dini fare mirë që kjo lloj njolle nuk hiqet kurrë.”

Balla e dha këtë mesazh nga sheshi Omonia në Athinë, ku theksoi lidhjen e fortë që PS ka pasur gjithmonë me diasporën dhe rolin e shqiptarëve të Greqisë në rrëzimin e Berishës. PS është e vetmja parti që ka pasur një kontakt të vazhdueshëm me diasporën në Greqi, tha Balla në një intervistë për gazetarin e njohur, Robert Goro, në TV Tribuna.

“Në 2013-ën, diaspora pati rol të rëndësishëm në atë fitore historike të PS-së për të rrëzuar regjimin e Sali Berishës në atë kohë.”

Balla u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në Greqi dhe më gjerë që të votojnë më 11 maj për të përmbyllur rrugëtimin europian të Shqipërisë.

“Prej sheshit Omonia i drejtohem të gjithë bashkatdhetarëve tanë, jo vetëm këtu në Athinë, por në të gjithë Greqinë dhe botën, që sot kemi arritur në finishin e asaj që kemi nisur. E nisëm për ta kërkuar Shqipërinë si gjithë Europa dhe vota juaj më 11 maj është pikërisht vota që do t’i bëjë shqiptarët krenarë për ta parë flamurin tonë kuqezi në mes të Brukselit,” tha Balla për gazetarin Robert Goro në intervistën për televizionin “Tribuna.”

Atyre që nuk arritën të regjistrohen, Balla u bëri thirrje që të nisen drejt Shqipërisë më 11 maj, sepse, edhe pse thonë se PS do t’i fitojë këto zgjedhje, tha ai, çdo votë është e rëndësishme për të shtuar një mandat më shumë.
“Falënderoj diasporën e Greqisë për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë gjithmonë PS-së. Ju e përmendët në 2013 sa shqiptarë u nisën drejt Shqipërisë për të votuar PS-në, dhe sot çdo votë e juaja është një votë shumë e rëndësishme për ta përmbyllur rrugën europiane, që t’i japim fëmijëve tuaj në Greqi pasaportën europiane.”
Balla rikujtoi se hallet e diasporës, si njohja e pensioneve, janë ngritur vetëm nga Partia Socialiste kur erdhi në qeveri.

“Prej vitit 2022 kemi çelur bisedimet me qeverinë Micotaqis për t’i dhënë përfundim dhe njohjes së kontributit të çdo bashkatdhetari, që t’i njihen vitet e punës për efekt pensioni. Përfitimi i drejtpërdrejtë i bashkatdhetarëve tanë është se me pasaportën e BE-së të gjitha problematikat përfundojnë. Nuk duhet parë si një ëndërr si në ’91–’92. Tani jemi veç një hap larg dhe do ta kryejmë në 2026–2027. Na duhet të presim dhe 2–3 vjet.”

Balla theksoi se diaspora është më e aftë të kuptojë ndryshimin e madh që ka ndodhur në vend, pasi diaspora e prek çdo ditë këtë opinion dhe sot thotë me krenari që jam nga Shqipëria, sepse Shqipëria ka ndryshuar.

“Përshtypja ime e këtyre takimeve është që diaspora di ta bëjë shumë mirë diferencën dhe di të kuptojë që vota më 11 maj është një zgjidhje mes Europës dhe gropës. Këtu ka dy oferta: një me PS dhe Edi Ramën për ta mbyllur përfundimisht procesin e anëtarësimit në BE, dhe një palë tjetër. Unë nuk i shoh të ndara PD nga partitë e vogla. Një pjesë e tyre janë pjellë e PD-së. Çdo votë, qoftë te bufi, apo te anëtarët e tjerë të kënetës, është votë në kënetë. Sali Berisha është kënetë. Është bufi i kënetës që duhet tharë më 11 maj. Kjo është një domosdoshmëri historike. 11 maji duhet të shërbejë si moment historik dhe për PD-në për të shpëtuar nga një ish-sekretar partie.”

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën u kërkoi bashkatdhetarëve të tërheqin zarfet te DHL dhe ata që e kanë marrë ta dorëzojnë sa më parë, që të jetë në kohë në KQZ deri më 11 maj, ora 19:00.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu