Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, nisi sot episodin e parë të një cikli bashkëbisedimesh me bashkatdhetarë për çështjet më të rëndësishme për komunitetet tona nëpër botë. Një prej tyre është Gjuha Shqipe, e cila për nga rëndësia kardinale që ka ishte edhe tema e episodit të parë, ku ministri bisedoi me tre shqiptarë nga komunitetet më të mëdha të shqiptarëve në Europë: gazetarja Anila Rezhda në Greqi, Mirela Hasani mjeke në Britaninë e Madhe dhe Besmir Rrjolli, ekspert i sektorit jofitimprurës nga Italia.

yacht hotel sarande

Ministri tha se historia do të na gjykojë për atë që kemi bërë për t’u garantuar fëmijëve me të paktën një prind shqiptar që të mësojnë shqipen.
“Ndaj bisedën e parë, ta lidhim me atë që është një prej çështjeve themelore ose që shqetëson dhe për të cilën ka shumë nevojë për mbështetje diaspora jonë, promovimi dhe mbështetja për mësimdhënien në Gjuhën Shqipe. Duhet ta kemi të gjithë të qartë, që nëse është diçka që duhet të bëjmë më mirë, është pikërisht pjesa që lidhet me mbështetjen për mësimdhënien në Gjuhën Shqipe. Ne duhet t’i garantojmë çdo fëmije që lind nga një prind, të paktën nga një prind shqiptar, të dy prindërit shqiptarë më mirë akoma, të ketë mundësinë të mësojë në Gjuhën Shqipe,” tha ministri në hyrje të bashkëbisedimit që nisi me diskutimin e programit “Mësues për diasporën” që ka nisur me Greqinë, ku mësuesit e përzgjedhur nga Ministria e Arsimit paguhen nga qeveria shqiptare.

Gazetarja Anila Rezhda sugjeroi që mësuesit e shqipes të jenë edhe njohës të mirë të gjuhës së vendit ku do të japin mësim, në këtë rast Greqia, ndërsa ministri Balla e siguroi se kriteret e vendosura do të garantojnë përzgjedhjen e më të mirëve në çdo aspekt që duhet për mësimdhënie.
Mjekja Mirela Hasani nga Britania e Madhe tha se duhet bashkëpunuar edhe me shoqata që kanë eksperiencë në këtë drejtim, duke arritur që të kemi futjen e Gjuhës Shqipe si kurrikul në shkollat angleze, si gjuhë e huaj.
Besmir Rrjolli solli në vëmendje si problem mungesën e interesit nga komuniteti. Ai tha se duhet edukimi i popullatës. “Kemi një hendek ku nuk arrijmë të komunikojmë me komunitetin e gjerë, gjë që po u arrit do të sjellë më shumë vajza e djem te shkolla shqipe në Milano,” tha Rrjolli.
“Nuk mjafton të jesh patriot pse gëzon kur fiton kombëtarja apo në ditën e flamurit apo të pavarësisë, por investimi më i rëndësishëm që mund të bësh është që nëse je në diasporë dhe nëse realisht e do atdheun tënd, e do Shqipërinë, t’i mundësosh fëmijës të mësojë gjuhën shqipe. Kjo është atdhedashuria e përkthyer në vepra,” tha ministri Balla në përgjigje të këtij shqetësimi nga Italia.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu