Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, sqaron publikun se qeverisja nuk mund të ndërpritet për asnjë moment. “Edhe gjatë fushatës zgjedhore ne nuk kemi kohë për të humbur. Na duhet të çojmë përpara një sërë projektesh që konkretizojnë vizionin tonë Shqipëria 2030,” deklaroi Balla në seancën e kuvendit pasditen e së enjtes duke iu përgjigjur shqetësimeve të opozitës se përse në seancë sillen vetëm projektet e qeverisë.
“Sa i takon pretendimit për Paketën e Maleve, besoj se kundërshtia juaj është minimalisht një gafë. Nëse nuk e keni marrë vesh akoma, ne jemi këtu për të qeverisur për shumicën, për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë e këtij vendi për t’i bërë burime të ardhurash për qytetarët e këtij vendi,” tha Balla.
Sipas tij, Paketa e Maleve po mirëpritet nga diaspora dhe ata që do të kthehen në pronat e të parëve për t’i shndërruar në burim të ardhurash për familjen. “Tani pse jeni kundër, nuk e kuptoj. Nuk janë 100, janë 500. Ju nuk dini as të numëroni, ju ka lënë Luli mbrapsht. Edhe 5 mijë, 50 mijë do bëhen qytetarë që përfitojnë. Dhe marrëveshja që ju sjellim sot është për të gjithë shqiptarët që nuk duan të shkojnë me furgon në Durrës, as me autobus, por me tren. E patëm lënë një projekt në 2005-ën, erdhi njëri këtu dhe e anuloi se s’i pëlqen treni,nuk e ka njohur ndonjëherë. Tani treni do bëhet.
Treni do të jetë i standardeve më të mira europiane. Dhe më e mira e kësaj pune është se nuk do të shkoni më me benza në aeroportin Rinas, por do të hipni trenit për Rinas. Çfarë problemi keni me trenin ju? Jeni parti që do të mbaheni mend si partia kundër zhvillimit, teknologjisë që nuk e mori vesh kurrë çfarë do populli. Dhe ju do hipni në tren, do zbrisni nga ky treni pa kokë.” i tha Balla opozitës përpara se të vijonte me prezantimin e projektligjit për hekurudhat.