Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla hodhi poshtë pretendimet e opozitës se maxhoranca ka bërë premtime të pambajtura lidhur me abetaret që dërgohen në diasporë.
“Nuk kuptoni se hapi më i rëndësishëm ishte unifikimi i abetares. Tani, dy shtete, Shqipëria dhe Kosova, kanë një abetare sepse një është Gjuha Shqipe dhe natyrisht ne përmes të gjitha ambasadave tona shpërndajmë rregullisht një numër të konsiderueshëm abetaresh. A është kjo e mjaftueshme? Natyrisht që janë shumë më shumë nevojat dhe do vazhdojmë ta rrisim intensivisht numrin. Në fakt, duhet të koordinojmë më mirë që këto abetare të botohen atje sepse kostoja e transportit është shumë më e madhe se vlera e një njësie. Por të vish këtu të tundësh gënjeshtrën e radhës se ka qenë x ministër që ka premtuar abetare dhe s’kanë shkuar, kjo s’është e vërtetë,” deklaroi ministri.
Balla tha se nuk mund të transferohen konfliktet e politikës së ditës nga Tirana në diasporë dhe se aktet e ndërhyrjes nëpër takimet e maxhorancës në diasporë nuk sjellin gjë veçse përbuzje për opozitën.
“Diaspora, gjënë që s’pëlqen më shumë është transferimi i konfliktit të politikës së ditës nga Tirana në diasporë. Këtë nuk e pranon diaspora dhe kjo është një ndër arsyet më të mëdha që diaspora ju refuzon juve më së shumti. Më përmendët takimet në diasporë. Unë, me thënë të drejtën, ju konsideroj juve fat të madh që ju kam kundërshtarë se nëpër takime na kanë dalë ca diversantë që penetrojnë në këto takimet tona thjesht dhe vetëm për t’i bërë qejfin Saliut, por mos harroni që merrni të gjithë përbuzjen e të gjithë motrave dhe vëllezërve tanë në diasporë të cilët nuk i pëlqejnë këto lloj sjelljesh sepse nuk i perceptojnë dot. S’e perceptojnë që dikush është në takim, është si t’i shkosh në dasmë dhe t’i prishësh dasmën. Ju kam thënë hajdeni në takim se juve s’ju vjen njeri.”
Balla u kërkoi deputetëve të opozitës që të miratojnë së bashku buxhetin për të paguar postën në kthim të fletëvotimeve nga KQZ-ja, të ndryshohet afati i regjistrimit të kandidatëve që t’i jepet më shumë kohë këtij institucioni që të nisë në kohë zarfin, dhe meqenëse nuk kanë besim te KQZ të votojnë krijimin e një KZAZ-je brenda KQZ për të monitoruar numërimin e votave të diasporës. Balla falënderoi dhe një herë diasporën për pjesëmarrjen në këtë moment historik për demokracinë në Shqipëri.