Tiranë – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar se interesat e vendit janë mbi çdo urdhër politik.

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, Balla u shpreh se synimi i mazhorancës është përmbyllja e negociatave për anëtarësim brenda vitit 2027, ndërsa ratifikimi i marrëveshjes dhe anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në BE të realizohen brenda vitit 2030.

“Jemi në një moment vendimtar për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Përpara çdo urdhri politik, duhet t’i bindemi interesit të vendit,” – u shpreh Balla.

Paralajmërim për opozitën

Duke iu referuar qëndrimit të opozitës në komisionet parlamentare, Balla theksoi se kërcënimet, shantazhet apo bojkotet ndaj Grupit Parlamentar të PS nuk do të pranohen.

Ai nënvizoi se nëse opozita vijon të mos marrë pjesë në komisione, atëherë mazhoranca do të rishikojë marrëveshjen për përbërjen bipartizane të tyre.

“Nëse ata mendojnë se mund t’i mbajnë peng komisionet, atëherë ne do të respektojmë vullnetin e shqiptarëve që kanë caktuar qartë kush është shumica dhe kush është pakica,” – deklaroi Balla.

Sipas tij, opozita duhet të reflektojë dhe t’i rikthehet punës parlamentare në fillim të sesionit të ri në janar, duke shtuar se emocionet politike janë të përkohshme.

Komision Etike dhe luftë kundër nepotizmit

Balla bëri të ditur se një nga çështjet e trajtuara në mbledhjen e Grupit Parlamentar ishte prezantimi i projektit për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Etikës në Partinë Socialiste.

Ai sqaroi se ky komision është pjesë e reformave të brendshme të PS dhe lidhet drejtpërdrejt me një nga prioritetet e Kryeministrit Edi Rama: goditjen e çdo forme nepotizmi dhe emërimesh klienteliste, edhe kur ato fshihen pas mbulesës partiake.

“Ky është një mandat historik. Shqiptarët na kanë dhënë mandatin më të fortë më 11 maj, por edhe na kanë treguar qartë se si duhet të sillemi me këtë mandat,” – përfundoi Balla.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu