
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas mbledhjes së grupit këtë të hënë, deklaroi se legjislatura e re e Kuvendit do të jetë ndër më të ngarkuarat për shkak të procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Ai njoftoi se Kuvendi ka hapur zyrtarisht garën për postin e Avokatit të ri të Popullit, një funksion që ka mbetur vakant prej tre vitesh.
“Komisioni përgjegjës ka bërë shpalljen dhe deri në mesnatë çdo qytetar që plotëson kriteret ligjore ka të drejtë të paraqesë shprehjen e interesit. Nga nesër do të publikohet lista e aplikantëve dhe më pas komisioni do të vlerësojë përputhshmërinë me kriteret,” tha Balla, duke shtuar se Partia Socialiste nuk ka ende një emër të përcaktuar për të mbështetur. Ai bëri apel për dialog me opozitën për ta zgjedhur bashkërisht Avokatin e ri të Popullit dhe për të shmangur vonesat e mëtejshme.
Në vijim, Balla foli edhe për iniciativën e re të Kryeministrit Rama për reformimin institucional që përfshin një rishikim të rolit të Kuvendit dhe reduktimin e numrit të deputetëve nga 140 në 101 deri në vitin 2030. Ai sqaroi se kjo nismë është pjesë e një reforme më të gjerë që synon rritjen e efikasitetit të jetës parlamentare dhe miratimin e një ligji të ri për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit.
Sa i përket çështjeve të tjera, Balla bëri thirrje opozitës të dorëzojë sa më shpejt emrat e anëtarëve për Komisionet e Reformës Zgjedhore dhe Territoriale, për të mos humbur kohë në procesin e reformave. Ndërsa lidhur me hetimet ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, Balla theksoi se Partia Socialiste nuk komenton vendimet e drejtësisë dhe nuk do të bëhet mburojë për asnjë zyrtar që hetohet nga institucionet e pavarura.
Në fund, Balla tha se Kuvendi do të fokusohet në miratimin e buxhetit të vitit 2026 brenda afateve ligjore, duke nënvizuar se “tradita parlamentare e do që ky proces të përmbyllet brenda gjysmës së parë të dhjetorit, në mënyrë që bashkitë të kenë kohë të miratojnë buxhetet e tyre përpara fundit të vitit.”







