
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, u kërkoi sot bashkëqytetarëve në Librazhd dhe mbarë Shqipërinë të mos harrojnë se kush është Sali Berisha. Në 17-vjetorin e shpërthimit në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, Balla u kujtoi atyre sesi politikani i korruptuar ka vrarë për të mbrojtur korrupsionin e vet dhe këtë mund ta bëjë sërish.
“Sot bëhen 17 vite që shpërthimi i tmerrshëm i korrupsionit të familjes së Sali Berishës dhe të ministrave të tij vrau 26 shqiptarë të pafajshëm. Dhe kur shoh në këto studiot e darkës që guxojnë të vënë barazi mes dosjeve të ndonjë ish-ministri socialist me ato të Berishës, kjo është e pandershme. Sali Berisha në këto 30 vite është politikani që me korrupsionin e vet ka vrarë njerëz. Me korrupsionin në Gërdec vrau 26 shqiptarë të pafajshëm, plagosi shumë të tjerë dhe shkatërroi një zonë të Shqipërisë.”
Ai zbrazi rezervat tona të municioneve ushtarake për t’u pasuruar tha Balla. Sot vlera e atyre municioneve është njëqindfish më e lartë sipas tij, ndërsa kujtoi edhe viktimat e 21 Janarit që Berisha i ka në ndërgjegjen e tij.
“Me korrupsionin e vet, bashkë me Ilir Metën, vrau 4 protestues më 21 Janar. Prandaj, motra e vëllezër, s’duhet të harrojmë kurrë që ai është politikani që vrau dhe mund të vrasë përsëri për të mbrojtur korrupsionin e vet. E dëgjova një ditë që tha se e kanë përzënë në Librazhd. Po ti shko njëherë në Tropojë po ta mbajti pa anti-plumb, se e ke mbjellë vëllavrasjen aty ku të buron familja jote. Ne kemi qenë të majtë e të djathtë, por kur kemi mbyllur fushatën kemi qenë librazhdjotë,” deklaroi Balla nga asambleja e Partisë Socialiste të Librazhdit, ku së bashku me drejtuesin e qarkut Elbasan për Partinë Socialiste, Arbian Mazniku, prezantuan kandidaturën e Olsi Komicit, jurist dhe ish-komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
“Ajo që ka më rëndësi për dikë që ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e politikës është cilësia që të punosh për të lënë prapa njerëz ndoshta edhe më të mirë se ti vetë. Unë jam shumë krenar sot që Librazhdi do të përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë në legjislaturën e re, në mandatin e ri 2025-2029, jo nga një, por nga dy: edhe nga Bora, edhe nga Olsi. Asnjëherë më parë, nga këto 30 vite, ne nuk kemi pasur një përfaqësim kaq të denjë dhe kaq të fortë në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj thashë dy, sepse kësaj radhe edhe demokrati më i paepur i Librazhdit duhet të votojë për Olsi Komicin, duhet të votojë për Partinë Socialiste të Shqipërisë, për Edi Ramën.”
Falë mandatit të tij, tha Balla, kemi sot një drejtësi të re të pavarur, që e shpëtoi nga kanceri që kishte mbjellë ai që zotohet sot para shqiptarëve se po i dhatë votën do shkrijë SPAK-un.
“Sa pretendues ish-pronarë ka në Shqipëri që duan të marrin pronat? Si ka mundësi që i mori dhëndri i Sali Berishës mes Tiranës, ku fushën e futbollit e bënë pallat? Të çosh në prokurori Sali Berishën. duhet të durosh lloj-lloj balte dhe sulmesh, por për mua rëndësi ka që populli i Librazhdit më do dhe do më votojë duke votuar për Olsi Komicin, për Edi Ramën.”
Balla i kërkoi socialistëve të Librazhdit që të arrijnë targetin e 75% të votave madje edhe më shumë, sepse Partia Socialiste i ka mbajtur premtimet në Librazhd duke e shndërruar në një lagje të Tiranës vetëm 40 minuta larg falë investimeve infrastrukturore.
“Kush është targeti? Ju e dini, sa herë kemi zgjedhje, biseda ime me ju është: cili është objektivi kësaj radhe?
Objektivi kësaj radhe është 75%. Prapë të parët në Shqipëri, gjallë a vdekur, duhet të dalim përsëri të parët në Shqipëri. Këtu ka shumë prej jush që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim që ditën e parë. Ka prej jush që në fushatën e referendumit 1994. Në 2005 kemi qenë zona me rezultatin më të mirë për PS. Prandaj 75% është objektiv me mik, se mund të shkojmë edhe më shumë.”
Balla i kërkoi elektoratit që t’i japë 1 milion shuplaka Partisë Demokratike, e cila hyn në garën e 11 Majit me lista të vjetra dhe të njëjtin kapiten.