
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Kuvend se kriminaliteti në Shqipëri ka pësuar ulje të ndjeshme gjatë dekadës së fundit, duke theksuar se drejtësia e re ka bërë hapa përpara, por është ende larg standardeve europiane.
“Nëse shikojmë vitin 2023 apo 2024, 2023 shënon rënien më të ulët të numrit të vrasjeve — vetëm 35. Mos harroni që viti juaj i fundit në qeverisje, nëse marrim 2012 që ishte i plotë, kishte 124 vrasje. Pra, pothuajse katër herë ka rënë numri i vrasjeve në Shqipëri nga 2012 në 2024,” – tha Balla.
Në fjalën e tij, Balla foli për periudhën kur shërbeu si Ministër i Punëve të Brendshme dhe përmendi “thyerjen e mitit të mos-ekstradimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe”, duke theksuar se “Shqipëria gjatë 2024 dhe 2025 ka ekstraduar nga Dubai më shumë se çdo vend tjetër në Europë”.
Lidhur me reformën në drejtësi, ai tha se Prokuroria e Posaçme (SPAK) është “pjesa më e suksesshme e reformës”, ndërsa theksoi se mazhoranca nuk ka ndërhyrë asnjëherë në punën e institucioneve të drejtësisë.
“Kemi hequr me vetëdije dorë nga çdo proces përzgjedhjeje apo kontrolli mbi prokurorët dhe gjyqtarët.” – deklaroi Balla.
Në përmbyllje, ai nënvizoi se asnjë ndryshim në legjislacionin e drejtësisë, sado i nevojshëm të duket, nuk do të ndodhë vetëm me votat tona.
Në çdo rast, do të marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian.
“Edhe pse ne i kemi votat për ta bërë. Kjo që kemi duhet ta pranojmë se është ende larg nga drejtësia që i duhet Shqipërisë së vitit 2030 — Shqipëria anëtare e Bashkimit Europian, që meritojnë qytetarët e saj.”
Fjala e plotë:
Nuk paska qenë shumë e vështirë që të bënim një debat të bënim një diskutim për një nga çështjet që në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, aty ku duam të ribashkohemi, ndodh natyrshëm — siç është raporti i Prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit.
Ju dëgjova me vëmendje disa prej jush, por duke qenë se është raportim për vitin 2024, ku në shtatë prej dymbëdhjetë muajve të atij viti kam pasur nderin të jem ministër i Brendshëm, mendoj që Shqipëria jonë e përbashkët ka bërë hapa tejet pozitivë.
Mua nuk më pëlqejnë krahasimet statistikore për një fenomen si vrasjet por është e vërtetë që nëse do shikonim vitin 2023 apo 2024, 2023 shënon rënien më të ulët të numrit të vrasjeve — vetëm 35.
Mos harroni që viti juaj i fundit në qeverisje, nëse nuk marrim 2013 por 2012 që ishte vit i plotë qeverisjeje, ka qenë me 124 vrasje.
Pra, pothuajse katër herë ka rënë numri i vrasjeve në Shqipëri nga viti 2012 në 2024.
Mjafton kjo për të thënë se as unë, as ministri, as kryeministri nuk jemi asnjëherë të kënaqur me rezultatet, sepse duam që ato të intensifikohen.
Rezultatet në luftën kundër kriminalitetit lidhen pikësëpari me marrëdhënien e besimit mes institucioneve që janë të përcaktuara për ta luftuar krimin: Prokuroria e Përgjithshme, prokuroritë e rretheve, Prokuroria e Posaçme, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Policia e Shtetit.
Nuk hezitoj aspak të falënderoj gjithë punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit, falë të cilëve është arritur deri këtu.
A ka brenda Policisë së Shtetit edhe nga ata që e tradhtojnë uniformën? Pa dyshim. Dhe është detyra e institucioneve që ta ndëshkojnë një gjë të tillë.
E vërteta është që gjatë vitit 2024 për herë të parë u thye edhe miti i mos-ekstradimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe sot shpresoj që të vijojë ky bashkëpunim. Numrat janë shumë premtues: gjatë vitit 2024 dhe 2025 Shqipëria ka ekstraduar nga Dubai më shumë se çdo vend tjetër në Europë.
Jo për shkak të numrit të madh, sepse ai është i vogël krahasuar me shumë vende të tjera, por sepse Shqipëria ka ditur të ketë rezultate.
Tani, për të mos u zgjatur zoti kryetar, po përmbledh.
E para, dëgjova njërin këtu që priste fletarrestet e bënte njoftime prokurorie, sikur e kishin ngarkuar me rolin që e kryejnë me dinjitet oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Dhe e vërteta është që Prokuroria e Posaçme është pjesa më e suksesshme e reformës në drejtësi.
Ne, Partia Socialiste nuk kemi hyrë në asnjë rast dhe për asnjë rast në meritën e një çështjeje të drejtësisë, aq më tepër kur drejtësia nuk e ka thënë deri në fund fjalën e saj.
Unë që jam këtu para jush, kallëzues në një dosje penale në ngarkim të një anëtari tuaj.
Prej ditës kur kam depozituar kallëzimin në Prokurorinë e Posaçme, nuk kemi folur më për atë çështje — dhe kështu do të vazhdojë.
Nuk e kemi bërë këtë dhe nuk do ta bëjmë asnjëherë, duke bërë avokatin e kujtdo ndër njerëzit e kësaj familjeje të madhe politike që hetohet apo ndalohet nga drejtësia, edhe kur mund të mos na duket e drejtë sikurse edhe mund të ketë ndodhur.
Nuk kemi pasur dhe nuk do të kemi kurrë ndonjëherë qëndrime si tuajat, që vini këtu dhe na kujtoni çdo ditë se në 22 korrik të vitit 2016 ju paskan sjellë me zor se keni votuar me zor.
Ne nuk kemi pendesë as për lirinë, as për pavarësinë që i kemi dhënë drejtësisë me reformën, dhe mbi të gjitha për atë tërheqje historike të pushtetit të shumicës nga caktimi i Prokurorit të Përgjithshëm apo i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Përmes reformës kemi larguar me vetëdije të plotë duart e ekzekutivit dhe të shumicës nga çdo proces seleksionimi, zgjedhjeje, promovimi apo shkarkimi të prokurorëve dhe gjyqtarëve, si edhe nga çdo formë kontrolli mbi aktivitetin e tyre.
Ia kemi lënë sistemit të ri të drejtësisë qeverisë vetë punët e veta përmes organeve të parashikuara në strukturën e reformës në drejtësi dhe të zgjedhura krejtësisht jashtë vullnetit të partive politike.
Prandaj, kur ju dëgjoj shpesh, sikurse ndodhi edhe sot, të flisni për marrëveshje me drejtues institucionesh — historia e kësaj seance tregoi të kundërtën.
Harrojeni historinë e kontrollit, kapjes apo pushtimi të pushtetit mbi drejtësinë me urdhra nga lart apo presione siç tha dikush këtu, “hip në një mal, zbret në një kodër, sheh një lumë e turret pas një lepuri”.
Në fund, do pranojë të gjithë të vërtetën e madhe të një ndryshimi që në historinë e këtij vendi është epokal.
Unë mendoj që ajo që ka ndodhur me institucionet e drejtësisë është një ndryshim epokal që nga viti 1912, kur shqiptarët shpallën pavarësinë.
Por dua të ngre sot shqetësimin në emër të grupit parlamentar të shumicës, të bërë publik nga kryeministri, lidhur me rastin e disa prokurorëve apo gjyqtarëve të cilët, në zgjedhjen mes interesit publik dhe ndonjë interesi tjetër, kanë bërë “hasha” interesin publik dhe kanë shkuar drejt interesit tjetër.
Për ne është shumë e rëndësishme që drejtësia të niset nga interesi publik.
Uzurpimi i hapësirave publike është në dëm të interesit publik.
Kushdo qoftë ai prokuror apo gjyqtar që nuk respekton interesin publik në çlirimin e hapësirave publike, nuk i shërben drejtësisë.
Nuk përbën përjashtim as krenaria e vërtetë e sistemit të ri të drejtësisë, që është vetë Prokuroria e Posaçme për të cilën sikurse u thanë këtu nga kolegët,
Edhe për Prokurorinë e përgjithshme dhe për rrethet mendoj se janë disa të drejta kushtetuese që duhet të prevalojnë
Mendoj që çështja e prezumimit të pafajësisë është një e drejtë kushtetuese që duhet të prevalojë.
Koha e paraburgimit duhet riparë dhe rrjedhja e të dhënave hetimore në publik me qëllim linçimi duhet të marrë një zgjidhje.
Edhe pse këto janë disa kura që duhen adresuar, rruga e pavarësimit të drejtësisë nuk ka kthim mbrapa.
Duhet durim strategjik për t’i dhënë kohë kohës, me bindjen se institucionet demokratike nuk rriten më shpejt se vetë fëmijët.
Asnjë ndryshim në legjislacionin e drejtësisë, sado i nevojshëm të duket, nuk do të ndodhë vetëm me votat tona.
Në çdo rast, do të marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian.
Edhe pse ne i kemi votat për ta bërë. Kjo që kemi duhet ta pranojmë se është ende larg nga drejtësia që i duhet Shqipërisë së vitit 2030 — Shqipëria anëtare e Bashkimit Europian, që meritojnë qytetarët e saj.
Por nuk duhet të kemi asnjë iluzion e asnjë rrugë tjetër, përveç vendosmërisë së palëkundur dhe durimit shtetbërës që kemi të gjithë nevojë.
Prandaj, në përmbyllje të këtij raportimi, e përgëzoj Prokurorin e Përgjithshëm për raportimin.
Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet adresuar pikë për pikë, sikurse është hartuar nga dy komisionet përgjegjëse.
Për herë të parë Kuvendi i Shqipërisë ka autorizuar dy komisione për të ndryshuar historikisht faqen raportimit në seancë plenare.
Faleminderit.







