
Ministri i Shtetit, Taulant Balla ka vazhduar këtë fundjavë inspektimin në Njësinë nr. 2, Tiranë, ku në zonën e Saukut ka bërë një vlerësim të drejtpërdrejtë të problematikave që lidhen me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet publike.
“Jam këtu për të bërë inventarin e problematikave dhe për të dëgjuar qytetarët cep më cep,” u shpreh Balla, duke nënvizuar se 19 mandatet historike të Partisë Socialiste në Tiranë janë një borxh i madh që duhet shlyer me punë të përditshme dhe me praninë në terren.
Gjatë takimeve me banorë, Balla theksoi se lidhja me komunitetin nuk duhet të ndërpritet asnjëherë dhe se dëgjimi i qytetarëve është hapi i parë për të përmirësuar jetën e tyre. “Duhet të punojmë më shumë me njerëzit e zakonshëm dhe për njerëzit e zakonshëm,” tha ai.
Vizita në Sauk është pjesë e një serie takimesh me komunitetin, ku Ministri i Shtetit, Taulant Balla, së bashku me skuadrën socialiste të zgjedhjeve të 11 majit, po shohin nga afër problematikat që lidhen me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet publike.