
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla takoi në Romë një tjetër shqiptar të suksesshëm. Biznesmeni Bleron Islami ka hapur një rrjet restorantesh në Itali, një prej të cilëve në zemër të kryeqytetit italian, në Piazza Navona, së cilës Balla propozon me shaka që t’i ndryshohet emri në Piazza Korça.
“Përshëndetje nga Roma, ku shqiptarët shkëlqejnë me arritjet e tyre. Njëri prej tyre është një djalë nga Korça, Bleron Islami, i cili prej 20 vitesh jeton e punon këtu dhe tanimë mund të quhet një model i suksesit të bashkatdhetarëve tanë, këtu në kryeqytetin e Italisë dhe kryeqytetin botëror të turizmit, sikurse është Roma, në Piazza Navona, ku numri i turistëve është një ndër më të mëdhenjtë,” tha Balla.
biznesmeni Bleron Islami ka punësuar edhe shqiptarë të tjerë.
“Bleroni ka 7 restorante të cilat i administron vetë dhe ky është një numër i shkëlqyer. Ajo që dua ta vlerësoj shumë është që edhe stafin apo bashkëpunëtorët e tij, shumica janë nga Shqipëria,” tha Balla.
“Po, po. Rreth 80% e bashkëpunëtorëve janë nga Shqipëria, sepse unë gjithmonë kam dashur të angazhoj, të ndihmoj dhe të bashkëpunoj me bashkatdhetarët tanë. Sepse duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin…” tregon Bleroni.
“Tani kjo Piazza Navona duhet ta ndryshojë emrin dhe mendoj duhet ta bëjë Pizza Korça. Përshëndetje të gjithëve,” tha me shaka Balla, krah biznesmenit të suksesshëm nga Korça.