
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, i kërkoi votën shqiptarëve që jetojnë jashtë në mënyrë që maxhoranca të marrë 84 mandate dhe të mos mbetet peng i Sali Berishës për vendime të rëndësishme.
I ftuar në Report TV, Balla e quajti një keqkuptim perceptimin e krijuar pas deklaratave të kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, lidhur me përfshirjen e partive në procesin e regjistrimit të diasporës.
“Mos harrojmë që koha që KQZ të shpjegojë këtë proces ka qenë zero, ndaj ne po shkojmë kudo. Mungesën e KQZ po e bëjnë partitë politike dhe kjo s’ka asgjë të keqe. Është krijuar një keqkuptim sot nga deklarata e Celibashit. Do ta nxisja të sqarohej. Është një gjë tjetër administrimi dhe gjë tjetër shpjegimi i procesit. Ku do të regjistrohet ai që s’ka telefon të mirë? Ka KQZ zyra asistence nëpër botë? Nuk i ka,” tha Balla.
Ai u ndal te kushtëzimi që PD i ka bërë ndryshimit të kodit zgjedhor me kërkesa të parealizueshme si ajo e votimit me dokumente të huaja. Ai tha se vetë diaspora ka kërkuar të mos paguajë postën e kthimit dhe nëse PD nuk bie dakord, do të gjendet një zgjidhje tjetër. Ata e dinë, sipas Ballës se do të humbin zgjedhjet ndaj po krijojnë alibi.
“Shpresoj në një reflektim nga ana e PD, por Kuvendi duhet domosdoshmërisht t’i hapë rrugë tre çështjeve sa më parë:
– E para, posta e kthimit.
– Së dyti, zgjatja e afatit të regjistrimit të koalicioneve, partive dhe kandidatëve, që KQZ të ketë kohën e nevojshme për të miratuar votën dhe ta çojë për printim dhe të marrë kohë t’ua nisë dhe ata ta kthejnë. Në 60 ditë duhen bërë të gjitha këto,” tha ai.
I pyetur në lidhje me prishjen e takimeve nga njerëz të PD, Balla tha se ka pasur njerëz të keqpërdorur nga Sali Berisha në New York, Michigan, Londër.
“Thirrja ime nuk është për Sali Berishën, se ai dihet kush është. Një prej atyre personave në Michigan ma pranoi, tha se më ka marrë vetë Berisha në telefon që të bërtasë te takimi im, të lutem ma kupto këtë gjë dhe s’ke ç’i thua. Se më erdhi shumë keq që rrinin 10 burra 2 orë në të ftohtë -20 gradë, i çova fjalë hajde pini një kafe. Ai që përçan Shqipërinë prej 34 vitesh tani po përpiqet të përçajë dhe diasporën,” tha Balla.
Balla kundërshtoi dhe tezat e opozitës se emigrantët e larguar gjatë viteve të qeverisjes socialiste do të votojnë kundër PS. Ai tha se që nga viti 2011 janë larguar 400 mijë shqiptarë, pra përfshi edhe ata gjatë dy viteve të kohës së Saliut, ndërsa sipas statistikave janë gjithsej 2.4 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë.
Ai tha se Sali Berishën e ka akuzuar me prova për kompleksin “Partizani” dhe se prej tij ka marrë lloj-lloj etiketimesh që kur ishte 27 vjeç.
“Vjen dhe balta që duhet të marrësh në këto raste, se në fund të fundit ajo që mbetet është vlerësimi i njerëzve. Fjalët i merr era dhe kallëzimet mbeten.”
Ndaj dua t’i kërkoj vëllezërve dhe motrave në diasporë të regjistrohen sa më shumë, të mos mbetemi peng. Na duhen pak vota për të arritur një shumicë me 84 mandate që ta çojmë deri në fund votën e diasporës. Ju lutem, mos na lini peng të Saliut,” tha Balla.