Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, zhvilloi një vizitë në Parlamentin e Letonisë, ku gjatë takimeve që pati diskutoi mbi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar, shkëmbimet ndërshtetërore, forcimin e marrëdhënieve dypalëshe si dhe për ratifikimin e marrëveshjes së anëtarësimit të Shqipërisë në BE në 2028.

Bisedimet u përqendruan në përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në mbështetjen e vazhdueshme të Letonisë për këtë proces.

Në deklaratat e tij, ministri Balla vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Letonisë, duke theksuar se këtë vit shënohet 97-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe 33-vjetori i rivendosjes së tyre. Ai falënderoi Letoninë për mbështetjen e palëkundur ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe për gatishmërinë për të ofruar ekspertizë në fusha kyçe si digjitalizimi dhe sundimi i ligjit.

Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me Shqipërinë që kontribuon në misionin e NATO-s në Adazi të Letonisë dhe me Letoninë që mbështet misionet në Kosovë. Ministri Balla theksoi se këto janë dëshmi të angazhimit të përbashkët për stabilitet në rajonin e Ballkanit dhe për sigurinë në kuadër të strukturës euroatlantike.

Në përfundim të takimeve, palët shprehën angazhim për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar, rritjen e shkëmbimeve ndërinstitucionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fusha si arsimi, kultura, turizmi dhe energjia.

Vizita e ministrit Balla në Riga vjen si një tjetër dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë për të forcuar lidhjet me partnerët evropianë në rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu