
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, u ndal në Padova ku u tha bashkatdhetarëve se sa shumë ka ndryshuar Shqipëria gjatë qeverisjes socialiste.
“Shqipëria nuk është më “delja e zezë” e Europës, kohë kur Kryeministrin e Shqipërisë nuk e priste askush në selitë e qeverive të Europës, kohë kur në tryezat ndërkombëtare nuk na qasnin, ose kur na qasnin talleshin me Boratin. Sot Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Shqipërisë, por është kryeqyteti i Ballkanit. Një qendër rëndese, burim paqeje, stabiliteti dhe pikë referimi. Shqipëria nuk është më “delja e zezë” e Europës, kur qeveria e vendit të vriste në bulevard, kur shqiptarët protestonin kundër korrupsionit.”
Sipas Ballës, sot Shqipëria është modeli i luftës kundër korrupsionit për vendet e tjera të rajonit. Sot Shqipëria është një destinacion i sigurt turistik, por që duhet të shtojë kapacitetet akomoduese. Ndaj Balla u tha bashkatdhetarëve në Padova se ata duhet të kthehen dhe të investojnë në shtëpitë e tyre pasi Paketa e Maleve, që miratohet së shpejti në kuvend, do t’ua lehtësojë procedurat.
“Shqipëria ka nevojë sot që të rrisim kapacitetet akomoduese. Filloni mendoni të bëni diçka në Shqipëri. Ato shtëpitë që keni bërë me paratë e fituara këtu, t’i transformoni në agroturizme. Sot dua t’ju jap lajmin e mirë se kuvendi do të votojë në ditët në vijim, edhe pse opozita është kundra, por ne do ta votojmë Paketën e Maleve. Kemi edhe kodrat brenda. Garantojmë se secilin prej jush qeveria do ta mbështesë që mos ju hajë më kohën as kadastra, por që vetë komuna dhe bashkia të merren me gjithë letrat që ju duhen për ta transformuar pronën në biznes që do ju sjellë të ardhura.”
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën renditi shumë arsye pse diaspora duhet t’ia japë votën vetëm Partisë Socialiste për t’i siguruar mbi të gjitha mandatin që do ta çojë vendin në BE.
Parlamenti italian në ditët para të marsit më në fund do të votojë marrëveshjen për njohjen e dyfishtë të pensioneve, nga e cila përfitojnë 500 mijë shqiptarë, sapo ta miratojë dhe Dhoma e Deputetëve. Balla u shpreh se kjo është një arritje e madhe falë negociatave që kemi bërë me qeverinë italiane dhe bashkëpunimit të të gjitha partive politike.
Balla njoftoi se qeveria do të fillojë shumë shpejt pjesën e dytë të programit “Mësues për Italinë” në Padova e kudo ku jetojnë bashkatdhetarët tanë.
“Qeveria ka një pjesë të përgjegjësisë, por çdo prind i çdo fëmije shqiptar ka edhe ai përgjegjësinë e vet. Në emër të qeverisë ju garantoj se ne do të bëjmë gjithçka që t’i japim një adresë ku të shkojë ta mësojë falas gjuhën shqipe.”
Balla bëri thirrje që të vazhdojë regjistrimi në kqz.gov.al. Ia arritëm kësaj mundësie që gjysma e Shqipërisë të votojë, tha Balla duke përmendur dhe pengesat e ngritura nga opozita me kushtet e PD.
“Disa ditët e fundit pati edhe një përpjekje, keni parasysh atë të ballkonit që ta pengonte duke vënë disa ferra, por tani nuk ka më asnjë pengesë. Kemi edhe 9 ditë kohë për t’u regjistruar. Të tjerat ose janë të skaduara, është ora që ka skaduar fare, kurse janë ca të tjera që thonë janë të paprovuara, por s’ia vlen me i provu fare se kanë skaduar pa i provuar. Na duhen jo më 71 deputetë se kemi 74 sot, tani 90 është cik shumë, po 84 bëhen. E bëjmë dot 84. Kaq na duhet. Për të bërë 84 na duhet nga kjo sallë mos ikë asnjëri pa u regjistruar.”
Në Itali edhe demokratët shqiptarë do votojnë PS, tha Balla, duke kërkuar që me flamujt lart salla t’i çonte një përshëndetje Edi Ramës.