Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, në fjalën e tij në Kuvend pas raportimit të kreut të SPAK, Altin Dumani, deklaroi se mazhoranca mbetet e vendosur në mbështetje të institucioneve të drejtësisë dhe të reformës që po jep rezultate konkrete.
“Ja dhe ky raportim mbaroi, dhe qytetarët me të drejtë dinë të bëjnë dallimin e madh,” tha Balla, duke theksuar se Partia Socialiste nuk bën “avokatin e askujt”, as kur bëhet fjalë për njerëz të afërt politikisht.
“Nuk bëjmë avokatin e askujt, as të atyre që hetohen apo arrestohen, edhe kur ne nuk na duket e drejtë. Ndërsa ju, në vend që të flisni për drejtësinë, u përpoqët të tregoni kush e do më shumë udhëheqësin tuaj. Sot interesi i Shqipërisë është të mbështesim institucionet e drejtësisë,” u shpreh Balla.
Ai vlerësoi punën e Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se krimi i organizuar ka marrë goditje të forta dhe se ky proces duhet të vazhdojë pa pengesa. Balla kritikoi gjithashtu reagimet e opozitës në sallë gjatë kohës që në foltore ishte Altin Dumani.
“E rëndësishme është që të dëshmojmë shtetari, sa i takon marrëdhënieve me institucionet. Ajo që bëri sot ai që ka marrë peng partinë tuaj, duke kaluar në fyerje personale ndaj prokurorit dhe atij që ka bërë kallëzimin, është e papranueshme. Dhe një gjë po ua them: edhe 100 herë të kthehem pas, të njëjtin kallëzim për Sali Berishën do ta bëja prapë,” deklaroi Balla.
Kreu i grupit socialist nënvizoi rëndësinë e respektimit të prezumimit të pafajësisë dhe kritikoi përdorimin e tepruar të masave të paraburgimit, duke kujtuar se Shqipëria është ndër vendet me numrin më të lartë të tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu