Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, sqaroi shumë çështje thelbësore që kanë të bëjnë me procedurën e votimit të diasporës në zgjedhjet e 11 majit, por dhe ofertën e Partisë Socialiste si e vetmja ofertë e besueshme në spektrin politik shqiptar sot.
Në një bashkëbisedim pyetje-përgjigje në Facebook, Balla tregoi detaje që kanë të bëjnë me teknikalitete, duke nisur me regjistrimin që fillon këtë të shtunë dhe përfundon më 4 mars, dhe deri në afatin e fundit të mbërritjes së votës me postë, që është ora 19 e datës 11 maj.
Drejtuesi Politik i PS për Diasporën sqaroi detaje teknike dhe paqartësi që votuesit nga diaspora shfaqën në pyetjet e tyre, të cilave iu përgjigj në kohë reale. I pyetur mbi përfaqësimin e mundshëm të diasporës, Balla pohoi se në procesin Deputeti që Duam ka një numër të konsiderueshëm që vijnë nga diaspora, shqiptarë të suksesshëm nga çdo cep i globit. “Janë mbi 100 kandidatët që kanë shprehur dëshirën të jenë pjesë e këtij procesi,” tha Balla në këtë bashkëbisedim.
A do të paguhet nga shteti shqiptar posta e kthimit të fletës së votimit?
“Ne kemi bërë një propozim për të shprehur gatishmërinë e qeverisë për të marrë përsipër shpenzimet e postimit të votës. Kodi Zgjedhor ka parashikuar që KQZ ka detyrim dërgimin nga Shqipëria në adresën tuaj kudo që jetoni. Ka pasur sugjerime nga bashkatdhetarët që meqë është hera e parë të mundësohet fondi i nevojshëm që të mbulohet posta e kthimit. Dhe kryeministri e ka shprehur gatishmërinë që të paguajë qeveria nga fondi i vet, por duhet që Kuvendi të bëjë ndryshimet përkatëse në kodin zgjedhor. Shpresojmë që dhe opozita ta mbështesë” ishte përgjigja e Ballës ndaj pyetjes së qytetarit me banim jashtë.
Balla shpjegoi me detaje procesin e regjistrimit, çështje teknike që tregohen me shembuj edhe në faqen e KQZ apo në aplikacionin e saj në celular, ku në Platformën Elektronike të Regjistrimit mund të kryhet procedura. “Nëse keni krijuar llogarinë tuaj e jeni regjistruar me një dokument identifikimi të skaduar, keni kohë deri në datën 4 Mars të ngarkoni dokumentin e rinovuar sepse me dokumente që u ka mbaruar afati nuk mund të votosh më 11 maj.”
Balla adresoi shqetësimet për sigurinë e votës së dërguar me postë nga manipulimet duke garantuar transparencë të procesit me kushtet më të larta të sigurisë.