Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, gjatë qëndrimit në Britaninë e Madhe, u takua me disa shqiptarë të suksesshëm në aktivitetin e tyre në emigracion.

I shoqëruar nga kandidatja socialiste për deputete e diasporës, Vera Ndrecaj, Balla bëri një shëtitje në Wembley.

Gjatë rrugës zhvilloi edhe një bashkëbisedim me kandidaten Ndrecaj, e cila i tregoi se në vendlindjen e saj, Shkodër, është pritur mirë kandidimi.

“Ki parasysh që ti je përfaqësuese për zgjedhjet e 11 majit, jo vetëm për diasporën e Shkodrës apo Malësisë, por je për të gjithë diasporën, nga Amerika e Veriut, Kanadaja përfshi këtu, deri në Australi dhe në Europë gjithashtu,” tha Balla.

“Unë kam ardhur nga platforma ‘Deputeti që Duam’. Të jem shumë e sinqertë, në fillim kisha skepticizmin tim, por jam shumë, shumë e lumtur që jam përfaqësuese e diasporës. E kam marrë këtë përgjegjësi me një seriozitet të madh dhe do të jem një zë i fuqishëm për diasporën shqiptare në parlament, nëse diaspora do të besojë në kapacitetet e mia.”

Në një zonë ku punonin shumë shqiptarë, bashkëbisedimi i tyre u ndërpre disa herë gjatë rrugës nga takime me bashkatdhetarë dhe miqtë apo bashkëpunëtorët e tyre anglezë, të cilët ndanë përshtypje të mira për shqiptarët.

Një prej tyre ishte edhe biznesi i akulloreve, i ngritur që prej 2007-ës, kur vendi ishte një gërmadhë e më pas u investua për Lojërat Olimpike.

“Ne kemi investuar shumë në Wembley. Ky është furgoni i parë elektrik që është bërë në Britaninë e Madhe. Kushton më shumë se një gjysmë shtëpie në Londër. Punoj me familjen, gruan dhe dy djemtë; secili kemi nga një furgon. Një furgon duhet me e pas në Tiranë, me ndihmën e Zotit avash-avash.” shprehet biznesmeni i akulloreve.

Biznesi i tij ka licencë ekskluzive për të shitur akulloret. Shumë prej shqiptarëve që e ndalën gjatë rrugës Drejtuesin e Diasporës për Partinë Socialiste kishin gati 3 dekada që jetonin e punonin në Britaninë e Madhe.

Balla, sonte në orën 20:00 e prezantoi para shqiptarëve në Londër kandidaten Vera Ndrecaj, një emigrante që, si qindra prej tyre, e nisi nga hiçi rrugëtimin në shtetin ishullor dhe sot është një emër i suksesshëm me karrierë të shkëlqyer akademike, por edhe kontribuese e madhe në ndihmë të komunitetit shqiptar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu