
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori pjesë në konferencën me temë “Të drejtat e pakicave etniko-gjuhësore, me veçanti ndaj asaj italo-shqiptare”, qe u zhvillua në Romë nga Fondacioni i Sapienza për kujtesën e konstitucionalistit të madh, arbëreshit Constantino Mortati.
Në fjalën e tij në nder të figurës së konstitucionalistit të madh arbëresh, Constantino Mortati Balla theksoi Arbëreshët, me historinë e tyre shekullore, janë rrënja më e lashtë e kësaj lidhjeje. Ata kanë mbajtur të gjallë gjuhën dhe traditën shqiptare dhe kanë ditur gjithashtu të bëhen pjesë integrale e kulturës italiane.
Sipas Ballës marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë përfaqësojnë një shembull unik të miqësisë, bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë në hapësirën evropiane dhe mesdhetare.
“Sot, në një fazë të re të transformimit dhe zgjerimit të Bashkimit Evropian, mund të themi se Italia mbetet aleati ynë më i madh dhe bashkëbiseduesi ynë strategjik natyral — një vend që ka besuar, përpara të tjerëve, në të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues me Bashkimin Evropian dhe po vazhdon një proces reformash të thella në drejtësi, administratë publike dhe digjitalizim. Këto arritje janë gjithashtu fryt i bashkëpunimit, miqësisë dhe mbështetjes italiane, që na shoqërojnë me besnikëri dhe besim.” – shtoi Balla.
Më tej gjatë fjalës së tij, Balla vlerësoi komunitetin arbëresh si një urë historike që lidh dy popujt:
“Tema e kësaj dite të drejtat e pakicave etniko-gjuhësore, me veçanti ndaj asaj italo-shqiptare na fton të reflektojmë mbi vlerën e diversitetit si pasuri e përbashkët dhe si themel i shoqërive të lira dhe pluraliste.
Komuniteti arbëresh, i pranishëm në Itali prej më shumë se pesë shekujsh, përfaqëson një shembull unik se si identiteti mund të mbijetojë në kohë pa u kthyer kurrë në mbyllje në vetvete. Arbëreshët kanë ruajtur gjuhën, besimin, traditat dhe kujtesën e origjinës, duke kontribuar njëkohësisht në mënyrë të çmuar në kulturën dhe jetën qytetare italiane. Ne e mirëpresim me vlerësim të lartë politikën italiane për mbrojtjen gjuhësore dhe kulturore të komuniteteve arbëreshe dhe nismën “Moti i Madh”, të paraqitur në UNESCO si pasuri jomateriale e njerëzimit — një njohje që u përket të dy popujve tanë.”
Duke u ndalur më gjerësisht te diaspora moderne shqiptare, emigrantët e pas ’90-ës, Balla u shpreh se shumë prej tyre janë tashmë qytetarë italianë, por vazhdojnë të ruajnë një lidhje emocionale dhe kulturore me atdheun e tyre, duke u bërë ambasadorë natyralë të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy kombeve tona.
“Sot diaspora shqiptare në Itali përfaqëson një nga komunitetet më dinamike dhe më vitale të vendit. Me kontributin e saj në botën e sipërmarrjes, të shëndetësisë, ndërtimit, kulturës dhe sportit, komuniteti ynë merr pjesë në mënyrë të prekshme në rritjen ekonomike e shoqërore të Italisë, duke forcuar njëkohësisht imazhin e një Shqipërie moderne, punëtore dhe thellësisht evropiane.”
Në konferencën e organizuar nga Universiteti La Sapienza për nder të juristit dhe konstitucionalistit arbëresh Costantino Mortati, trashëgimia juridike dhe morale e të cilit vazhdon të udhëheqë jetën demokratike të Europës, Balla u shpreh se të kujtosh Costantino Mortatin do të thotë të rikonfirmosh rëndësinë e Kushtetutës si garanci e të drejtave dhe lirive, por edhe si mjet uniteti në diversitet.







