Drejtuesi Politik i Diasporës në Partinë Socialiste, Taulant Balla, u takua me shqiptarët në Milano për t’iu kërkuar votën më 11 maj.

Balla u tha shqiptarëve në takim se është hera e parë pas 34 vitesh që do të votojnë bashkatdhetarët ndaj duhet pjesëmarrja e të gjithëve për të treguar sa shumë jemi.

“Disa prej jush besoj e kanë kryer tashmë regjistrimin. Kanë mbetur edhe 18 ditë deri më 4 mars që të mund të bëhet regjistrimi.” tha Balla.

Ai vlerësoi kontributin e madh ekonomik të diasporës në zhvillimin e vendit amë, që tani duhet të shndërrohet dhe në një kontribut për të zgjedhur qeverisjen.

“Diaspora ka një meritë të pazëvendësueshme në zhvillimin e Shqipërisë. Tani nuk është ajo diaspora e viteve të para, por sot djem e vajza, burra e gra shqiptarë edhe këtu në Itali shkëlqejnë me rezultatet e tyre në shumë fusha, edhe në fushën e sipërmarrjes, edhe në fushën e artit, edhe në fushën e sportit,” tha Balla.

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën u kërkoi votën emigrantëve në Itali, për t’i mundësuar Partisë Socialiste që të përmbyllë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Dhe nuk ka asnjë dyshim që brenda këtij mandati Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian dhe e vërteta është që nëse Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE kjo mund të bëhet me këtë ekip që e ka nisur këtë punë dhe duhet ta përfundojë.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu