Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla u shpjegoi shqiptarëve në Berlin procedurën e votimit nga jashtë Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Në një faqe të dedikuar, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të hyjnë për t’u identifikuar me të dhënat e tyre personale dhe një dokument që vërteton se jetojnë jashtë, si kontrata qiraje, energjie elektrike, uji ose interneti në vendin ku banojnë.

yacht hotel sarande

“Ky dokument duhet për të konfirmuar adresën, pra që ju jetoni në këtë adresë dhe në këtë adresë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, diku nga data 10 mars të shpresojmë, do t’ju nisë me postë fletën tuaj të votimit, në mënyrë që të ketë kohë që zarfi të mbërrijë në Shqipëri dhe KQZ do të quajë të vlefshme të gjithë ato vota që do të mbërrijnë deri më datën 11 maj deri në orën 19:00.

Çdo votë tjetër që do të mbërrijë pas këtij afati është e pavlefshme” sqaroi Balla shqiptarët në takimin e Berlinit këtë fundjavë, ku kërkoi pjesëmarrje sa më të madhe në këto zgjedhje historike, ku merr pjesë për herë të parë diaspora shqiptare.

Duke e cilësuar diasporën si votuesin më objektiv për shkak të largësisë, Balla tha se diaspora do të përfaqësohet në këto zgjedhje më më shumë kandidatë.

“Shumë prej jush thonë: mirë, mirë dakord ne do votojmë, por a do kemi ne përfaqësuesit tanë të diasporës në kuvendin e Shqipërisë? A ka vende të përcaktuara në kuvend për diasporën? Shqipëria këtu është e ngjashme me Gjermaninë. Pra dhe në Bundestagun gjerman nuk ka vende të përcaktuara për gjermanët që votojnë në diasporë. Nuk krahasohen diasporat tona sepse Shqipëria ka një numër pothuajse të barabartë mes shtetasve të vet me të drejtë vote që jetojnë jashtë Shqipërisë, me ata që jetojnë brenda Shqipërisë. Me Gjermaninë nuk është i njëjti rast.

Partia Socialiste kishte edhe më 2021-in, pra një prej kolegëve të mi Lavdrim Krashi prej 30 vitesh jetonte në Britaninë e Madhe madje dhe si disa prej jush këtu i angazhuar në jetën administrative politike. Në një moment të caktuar ju përgjigj ftesës sonë dhe u bë pjesë e listës sonë për qarkun e Dibrës. Sot është anëtar i komisionit të politikës së jashtme dhe drejton nën/komisionin për diasporën në kuvendin e Shqipërisë.

Në këto zgjedhje do të jenë më shumë” deklaroi Balla.
Në Berlin, ministri dhe drejtuesi politik i PS për diasporën premtoi se qeveria shqiptare do marrë përsipër të paguajë mësuesit e gjuhës shqipe për fëmijët e çdo prindi me gjak shqiptar.
“Gjëja që duhet të bëjmë më mirë fillon nga abetarja. Fillon nga detyrimi që ka Shqipëria, qeveria shqiptare, vendi amë, parlamenti, opozita, të gjithë bashkë që ne duhet t’i garantojmë çdo fëmije që lind nga një prind me gjak shqiptari duhet t’i mësojmë gjuhën shqipe. Këtë duhet ta ketë detyrim qeveria. Dhe e vërteta, unë këtu në Gjermani kam parë raste shumë të bukura, të themi të drejtën janë shumë prekëse dhe shumë motivuese, kur shqiptarët e Shqipërisë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të Preshevës, të Kosovë dhe Malit të zi bëhen bashkë në një shoqatë dhe me mbështetjen që nuk do mungojë nga qeveria shqiptare për të pasur një mësues të gjuhës shqipe një ditë premte ose ditë shtune siç janë këto programet. Unë isha në Bavari ku mblidheshin ditën e diel bashkë në një sallë, fëmijë të gjitha trevave shqiptare për të mësuar gjuhën shqipe. Por këtë gjë do ta bëjmë më të strukturuar dhe për këtë qeveria shqiptare ka marrë përsipër që mësuesit e gjuhës shqipe t’i paguajë qeveria shqiptare.”

Balla me shqiptarët në Berlin tha gjithashtu se Partia Socialiste dhe Edi Rama në mandatin e katërt përmbyllin anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu