
Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla, gjatë një vizite në Hania të Kretës, shprehu mirënjohje për mbështetjen që 2 ndër 3 shqiptarë në diasporë i dhanë Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit 2025.
“Vota e diasporës ishte një votë historike dhe shumë e qartë për drejtimin që duhet të ecë Shqipëria jonë. Dy ndër tre shqiptarë në diasporë votuan Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, për ta përmbyllur këtë dekadë me Shqipërinë në BE.”
Gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Kretë, Balla theksoi rëndësinë e votës së diasporës si një moment kthese në marrëdhënien e shtetit shqiptar me qytetarët që jetojnë jashtë vendit.
“Të dashur motra dhe vëllezër, kam ardhur sot këtu t’ju falënderoj për mikpritjen dhe për votën tuaj historike të 11 majit. Vota e diasporës ka çelur një etapë të re në marrëdhënien e shtetit shqiptar me ju. Na duhet të bëjmë më shumë për çdo shqiptar që jeton në çdo cep të globit dhe të Greqisë,” – u shpreh Balla.
Ai siguroi të pranishmit se Qeveria Shqiptare është e përkushtuar për të forcuar lidhjen me diasporën dhe për të garantuar të drejtat e shqiptarëve kudo që ndodhen. Përmes angazhimeve konkrete, si hapja e konsullatës shqiptare në Kretë, Balla tha se do të forcohen shërbimet dhe lidhjet institucionale me komunitetin emigrant.
“Do ta mbajmë fjalën e dhënë për një konsullatë shqiptare në Kretë.”
Vizita e Ballës në Greqi vjen si pjesë e një turi falënderues takimesh me shqiptarët e diasporës, pas përfundimit të procesit të votimit jashtë vendit për zgjedhjet e fundit parlamentare.