
Balla falënderoi nga foltorja e kuvendit senatin italian për ratifikimin unanim që i bënë marrëveshjes së pensioneve. Balla bëri një retrospektivë të pensioneve në Shqipëri.
“Në fund të mandatit të katërt 400 euro do të jetë pensioni në Shqipëri. Sa i takon pensionit minimal edhe atë në fshat synojmë ta çojmë përtej 200 euro.”
Në vitin 2013 e gjetëm skemën e pensioneve të falimentuar, i tha Balla opozitës.
“Bëhemi gati të mbyllim dhe negociatat me qeverinë greke të cilat u ndërprenë për shkak të një Beleri, Beleri dhe tani jemi gati ta mbyllim për t’i garantuar të gjithë bashkatdhetarëve tanë që janë sot atje që ai kontribut t’u njihet për efekt pensioni ku të kenë dëshirë që të jetojnë.”
Ai tha se gjatë qeverisjes socialiste janë trefishuar të ardhurat dhe se po angazhohen që të rriten edhe më tej.
“Tha njëri që foli këtu që shqiptarët sot janë më të varfër. Po si janë më të varfër kur të ardhurat për frymë nga 2013 në 2024 janë trefishuar nga momenti kur ne morëm detyrën dhe angazhohemi t’i rrisim dhe me 40% pas 11 majit. Në vitin 2013 të ardhurat për frymë ishin 3324 euro, në vitin 2024 janë 10342 euro. Janë tre herë më të larta? Se s’jeni të gjithë si Luli. Në vitin 2030 synojmë t’i çojmë të ardhurat mbi 14 mijë euro ose pothuaj 5 herë më shumë se sa i gjetëm kur juve populli shqiptar ju pushoi nga puna në 2013.”
Paga mesatare e përgjithshme u rrit me gati 2.5 herë dhe do të vazhdojë të rritet edhe të paktën 2 për qind më shumë deri në fund të këtij mandati pas 11 majit, tha Balla. “Ishte 322 euro kur populli ju pushoi nga puna dhe sot ka shkuar 777 euro dhe angazhohemi që brenda këtij mandati ta bëjmë 1 mijë euro. 1200 euro në sektorin publik në fund të këtij mandati që nisim më 11 maj.”
Shpresa juaj është Kujtim Gjuzi, Selami Jenisheri, vizioni për ndryshim i tha Balla opozitës. “Ju do humbni”
Balla përshëndeti në fillim të fjalës së tij besimtarët myslimanë që agjërojnë duke cituar edhe vargje nga Kurani: qëndroji larg injorantit.