Në Takimin e Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Kroaci, në kuadër të Programit “Willy Brandt” të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Europian, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se vullneti i votës së diasporës tregoi qartë rrugën europiane të Shqipërisë dhe se mandati i katërt i qeverisë do të jetë mandati i anëtarësimit në BE.

“Fakti që dy nga tre shqiptarë që jetojnë në diasporë votuan për ne, për Partinë Socialiste dhe për Edi Ramën, është një mesazh i qartë: ne u thamë shqiptarëve se duke votuar për PS dhe për Edi Ramën, ata votojnë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE pasi ata jetojnë aktualisht në BE.”

Balla tha se Shqipëria mezi pret të jetë pjesë e BE-së dhe shprehu dëshirën që zgjedhjet për eurodeputetë të mbahen edhe në Shqipëri në qershor 2029.

“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për të rikujtuar edhe një ide që e kam ngritur në Bruksel kur u takuam në prill të këtij viti: duke marrë parasysh se në fund të majit ose qershor 2029 do të zhvillohen zgjedhjet europiane, padyshim do të donim të ishim gati që këto zgjedhje të organizoheshin edhe në vendet që i bashkohen BE-së.”

Balla informoi pjesëmarrësit se Shqipëria ka hapur tashmë të gjitha grupkapitujt dhe shpreson t’i finalizojë deri në 2027, për të qenë gati për ratifikimin e marrëveshjes së anëtarësimit në BE gjatë vitit 2028.

“Jam një europian i bindur, pro-evropian, dhe pa Ballkanin Perëndimor, Europa mbetet e papërfunduar. Duhet të bëjmë gjithçka që ky proces të përfundojë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Siç kanë treguar shqiptarët në maj, por edhe në katër zgjedhjet e mëparshme, ata besojnë se forca e vetme politike që mund ta bëjë realitet këtë ribashkim me Europën është Partia Socialiste. Dhe unë besoj se edhe progresistët në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë ata që realisht mund ta realizojnë procesin e anëtarësimit në BE.”

Balla theksoi gjithashtu se Shqipëria po përparon në e-qeverisje dhe siguri kibernetike, duke sjellë si shembull Diellën, ministre për Inteligjencën Artificiale, e cila mbulon një nga temat më sfiduese, atë të prokurimeve publike.

“Është e rëndësishme për të kuptuar fakti që inteligjenca artificiale është një instrument që vendet e vogla mund ta përdorin për të shkurtuar disavantazhet historike përballë vendeve të mëdha,” deklaroi Balla.

Takimi i Ballkanit Perëndimor në Kroaci, në kuadër të Programit “Willy Brandt” të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), është një forum politik rajonal dhe europian që mblodhi politikanë dhe përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar perspektivën e tyre evropiane dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky takim ka për qëllim riafirmimin e mbështetjes së S&D për zgjerimin e BE-së, ndërlidhjen e sfidave rajonale me axhendën europiane, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe ideve për reformat dhe bashkëpunimin rajonal, duke nxjerrë në pah progresin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera drejt integrimit evropian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu