Në përgjigje të akuzave të ngritura nga deputeti Gazment Bardhi në mbledhjen e 19-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, ministri i Shtetit, Taulant Balla, theksoi se qeveria dhe opozita kanë bërë hapa të përbashkëta të rëndësishme në drejtim të reformës zgjedhore, duke përmendur në veçanti miratimin e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

“Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit ishte një hap i rëndësishëm i ndërmarrë së bashku me opozitën,” tha Balla, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes palëve ka sjellë përparim të prekshëm në reformimin e sistemit zgjedhor.

Në lidhje me pretendimet për parregullsi dhe mungesë rezultatesh në luftën ndaj krimeve zgjedhore, Balla theksoi se procesi aktual i rinumërimit është një shembull i një procesi të besueshëm dhe të pranueshëm nga të dyja palët.

“Ajo që po ndodh aktualisht me procesin e rinumërimit është një proces i besueshëm, që të dyja palët po e bëjnë,” u shpreh ai.

Balla shtoi se në reformën e ardhshme zgjedhore duhet të përfshihet mënyra e përzgjedhjes së përfaqësuesve të Shqipërisë në Parlamentin Evropian dhe se ekziston dakordësi për të çuar përpara edhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore në nivelet e dyta dhe të treta.

“Dhe sigurisht, me konsensus, ashtu siç gjithmonë kërkohet për reformën zgjedhore,” theksoi ministri, duke lënë të kuptohet se nga shtatori pritet një tjetër raund diskutimesh për të avancuar më tej në këtë drejtim.

Deklaratat e Ballës erdhën si kundërpeshë ndaj kritikave të Bardhit, i cili akuzoi kryeministrin se kishte ndërhyrë për të frenuar punën e Task Forcës kundër krimeve zgjedhore dhe se përpjekjet për hetim kishin mbetur “vetëm në letër”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu