Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka sqaruar për mediat në oborrin e Kuvendit se ndryshimet e propozuara në rregulloren e Parlamentit nuk prekin kompetencat e komisioneve parlamentare, duke iu përgjigjur debatit që është krijuar rreth kësaj çështjeje.

Balla theksoi se ndryshimet janë menduar prej kohësh dhe synojnë përmirësimin e funksionimit të Kuvendit, por nënvizoi se struktura dhe roli i komisioneve përgjegjëse mbeten të pandryshuara.

Sipas tij, raportimet dhe shqyrtimi i çështjeve nga institucionet e pavarura do të vazhdojnë të bëhen në komisionet përgjegjëse tradicionale, si Komisioni i Çështjeve Ligjore, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut.

Ai sqaroi se propozimet nuk i heqin këtyre komisioneve asnjë kompetencë, por parashikojnë që, në rastet kur në seancë plenare diskutohen rezoluta apo rekomandime që lidhen me raportimet e institucioneve, ato mund të shqyrtohen edhe në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

“Gjithçka që ndodh në komisionet përgjegjëse do të vazhdojë njësoj si deri tani, pa u prekur fare”, u shpreh Balla, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për një shtesë në procesin e shqyrtimit parlamentar dhe jo për zëvendësim të rolit të komisioneve ekzistuese.

Ai shtoi se këto ndryshime synojnë të rrisin efikasitetin e kontrollit parlamentar dhe të përmirësojnë mënyrën e monitorimit të institucioneve nga Kuvendi.

Taulant Balla, prononcimi i plotë:
Dua të sqaroj që këto ndryshime janë ndryshime të cilat janë menduar prej shumë kohësh, të ndara ë disa elementë ose do të thoja në disa qëllime të mira që kanë të bëjnë me me përmirësimin e punës së Kuvendit të Shqipërisë, qoftë sa i përket mbarëvajtjes dhe kohës efikase të diskutimeve në seancën plenare, që kanë të bëjnë me përmirësimin dhe rritjen e efikasitetit të kontrollit parlamentar, me qëllimin e një përqasjeje të procedurave që ndjek Kuvendi i Shqipërisë me Kuvende të tjera, me parlamentet e tjera europiane, dhe këtu në përgjithësi ju e dini që gjithmonë ka qenë dëshira ime dhe e kolegëve të Partisë Socialiste që t’i përqasim ato me procedurat e Bundestagut gjerman, të cilib ne kemi marrë për referencë shumë herë.

Kemi të bëjmë edhe me një problematikë që lindi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk besoj që jemi më në kushtet për ta komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ndoshta një koment do ta bëjmë pasi të kemi të zbardhur arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese, por në kushtet që vetë Gjykata Kushtetuese në njoftimin publik që bëri pas shpalljes së vendimit, i le kohë Kuvendit deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që le të themi të zgjidhë teknikisht mbarëvajtjen e punës së komisionit, duke cituar vendimi i Gjykatës Kushtetuese që nuk ka të bëjë me numrin e komisioneve, por në një këndvështrim të tyre të lirisë së fjalës, që mbetet për t’u arsyetuar në vendimin përfundimtar.

Dhe po ashtu, kthehem tek një prej pikave të ndryshimeve, kam dëgjuar që ka një diskutim pse Partia Socialiste i merr në mënyrë të njëanshme propozimet. Besoj që biem të gjithë dakord që në kushtet e këtij, le të themi, të mungesës së një dialogu konstruktiv parlamentar, propozimet merren në mënyrë të njëanshme, por rëndësi ka që të shpresojmë që miratimin ta kemi të dyanshëm, ose me konsensus.

Pra, edhe pjesa që lidhet për shembull me uljen e kohës së diskutimeve për deputetët dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave, pesë minuta. Unë nuk besoj që ka… kjo nuk sjell asnjë lloj problematike me mohimin e të drejtës së fjalës. Mendoj që në kulturën parlamentare europiane apo dhe botërore, nëse doni, po ne i referohemi kryesisht Europës, pesë minuta janë të mjaftueshëm për të thënë një qëndrim politik.

Pastaj, pastaj për çështje të rëndësisë do të quaja të veçantë, për shembull sikurse është diskutimi për përbërjen e Këshillit të Ministrave, apo për buxhetin e shtetit, ju e dini që ka një përjashtim, sepse mund të vendoset për kohë të caktuar. Pra, mund të vendoset që një diskutim dy ditë, ku koha e fjalës për deputetët të jetë 10 minuta, apo edhe më shumë.

Kjo është një gjë që ia lë mundësi Kuvendit, por për çështje të procedurës së përditshme, miratohet një ligj ose një ratifikim i një marrëveshje dhe të gjithë e dimë që në asnjë prej rasteve ai 10-minutëshi nuk përdoret për çështjen që është në diskutim. Ju do të thoni po dhe pesëminutëshi nuk do të përdoret për atë, po le të synojmë që ta përqasim punën e Kuvendit me disa norma dhe me disa rregulla.

Ju keni parë një seancë në asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës, një deputet me shumë eksperiencë, i cili nuk e dinte që do t’i përmbahej kohës me një minutë. Pyetje. Z.Balla, tashmë prej disa javësh nuk keni një qëndrim në lidhje me çështjen e zëvendës kryeministres Balluku, ndërkohë që as ditën e sotme nuk është futur në rendin e ditës në seancë parlamentare. A do të veproni me imunitetin e saj si në rastet e tjera që i keni votuar pa hezituar, megjithëse tashmë po arrin dhe afat tre muajsh.

Balla: Tani unë këtë çështje e sqarova në diskutimin tim në seancë plenare. Mos u shqetësoni televizioni Syri për këtë çështje. Është e gjitha në përputhje të plotë edhe prapë është në përputhje të plotë me… ju e keni çështje prioritare.

Po patjetër. Faleminderit për solidaritetin e Reportit me Syrin, po unë po flas për po flas për përgjigjen, përgjigjen për këtë çështje e dhashë në seancën e radhës për shkak të afateve që përcakton rregullorja, çështja do të jetë për shqyrtim.

Pyetje: Zoti Balla, kam tre pyetje në lidhje me propozimin tuaj për ndryshimin e rregullores. Pyetja e parë lidhet me atë çfarë ju thatë që nuk janë ndryshime të njëanshme, por shpresoj të votohen në mënyrë të njëanshme.

Balla: S’e thashë kështu.

Vazhdon pyetja: ….shpresoj të votohen bashkërisht. Pra, duke t’ju imponuar opozitës me propozimin tuaj. Në vitin 2012 ju jeni politikan i vjetër, shumica prej atyre që keni aty nuk e dinë, por Partia Socialiste ka bllokuar procesin për marrjen e statusit të vendit kandidat vetëm për shkak, ndër të tjera, për shkak të rregullores së parlamentit dhe çështja e pesë minutëshit lidhet me parlamente të mëdhenj siç është parlamenti europian me 500 e disa vende….

Balla: Parlamenti europian e ka një minutë.

Vazhdon pyetja: Shqipëria ka një parlament shumë të vogël në lidhje me parlamentet e tjera. Pra, cila është logjika politike që kërkoni t’ia impononi opozitës pra duke i çuar ju propozimet e duke thënë hajde votoni ju? Pse nuk jeni ulur paraprakisht për ta diskutuar me zotin Bardhi ose me përfaqësuesin…

Balla: Ulja, ulja ulja bëhet pasi ke një dokument për të diskutuar. Kështu që shpresoj që ftesës së zotit Peleshi për t’u ulur do t’i përgjigjet dhe pala tjetër pozitivisht për t’u ulur.

Pyetje: Pyetja e dytë lidhet me raportimet e institucioneve të pavarura në parlamentin e Shqipërisë. Ju tanimë e keni zhvendosur raportimin e institucioneve nga dy komisionet përgjegjëse pra të Komisionit të Ligjve dhe i Ekonomisë që janë më së shumti te Komisioni i Drejtuar nga zoti Xhafaj.

Balla: nuk është kështu!

Gazetari: Propozimi juaj e thotë në mënyrë shumë të qartë…

Balla: Po mirë, dakord se ashtu e lexon ti

Gazetari: …që nuk raportojnë më te Komisioni i Ligjve ose Komisioni i Ekonomisë…

Balla: Jo, jo është një gënjeshtër. Je duke gënjyer publikisht.

 

Gazetari: Jam duke lexuar propozimin tuaj….

Balla: Lexo! atëherë, atëherë, atëherë ti je duke gënjyer publikisht dhe unë po të kthej përgjigje publikisht. Atëherë ta mbarojmë të lutem, ta mbarojmë pak. Atëherë atëherë jo nuk ja kemi hequr. Gjithçka gjithçka ndodh në Komisionin Përgjegjës do të vazhdojë njëlloj sikur ka ndodhur deri më tani pa u prekur fare. Dhe ndërkohë dhe ndërkohë, sa i përket rezolutës në rast se ka rezolutë apo rekomandimeve që lidhen me shqyrtimin e tyre në seancë, ato do të shqyrtohen edhe në Komisionin e nismave qytetare dhe të monitorimit institucional. Por dhe deklarojmë me përgjegjësi të plotë asnjë prej kompetencave të komisioneve përgjegjëse tradicionale, Komisionit të Çështjeve Ligjore, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, nuk preket.

Do të vazhdojë siç ka qenë.
S’e paske lexuar. Nuk është në traditën e televizionit Report të bëjë këto gabime.

Pyetje: Zoti Balla do të rikthehet tek çështja e zonjës Balluku. Bashkimi Europian e cilëson si hetimin e zonjës Balluku Bashkimi Europian e cilëson kyç hetimin e zonjës Balluku dhe mos pengimin e drejtësisë për të bërë punën e saj. Keni një koment duke qenë se siç e thashë ka për tre muaj arrihen afatet ligjore për këtë kërkesë.

 

Balla: Tani unë ua dhashë përgjigjen të gjitha afatet do të respektohen. Ka pyetje tjera? Faleminderit. Mos u zini me njëri-tjetrin. Unë jam gjithmonë i disponueshëm për pyetje. Faleminderit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu