
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një intervistë “live” nga Kreta për edicionin e lajmeve në Klan News, deklaroi se takimi i së shtunës në Kretë është i pari i këtyre përmasave që zhvillon një kryeministër shqiptar në këtë ishull.
“Dua të përshëndes kretanët, sepse këtu jeton një komunitet shumë i madh, nga i cili presim nesër që t’i bashkohen këtij takimi. Është hera e parë që një kryeministër shqiptar zhvillon një takim të këtyre përmasave në një ishull të Greqisë,” tha Balla i cili i ftoi ata të bashkohen në festën e madhe në qendrën sportive “Kladissos” në Chania.
Balla falënderoi të gjithë bashkatdhetarët për mbështetjen që po i japin Partisë Socialiste për një mandat historik, jo vetëm për PS-në, por për gjithë Shqipërinë tonë, për të shkuar në etapën e fundit të kurorëzimit të një pune 30 e ca vjeçare siç u shpreh ai.
Edhe pse për Ballën shqiptarët e Kretës janë një komunitet shembull për integrimin, ai tha se ata kanë mundësi edhe të kthehen në atdhe, ku përmes Paketës së Maleve mund të bëjnë të njëjtat punë që bëjnë në Kretë, por në vendlindje, qoftë në mal apo pranë detit.
Balla deklaroi se diaspora është shpresa dhe besimi që do t’i japë Partisë Socialiste numrin e duhur për një shumicë të cilësuar, duke sjellë në këto zgjedhje një ofertë me plot të rinj.
“Në ekipin tonë kombëtar të 187 kandidatëve ka plot djem e vajza që janë pjesë e një ekipi. Ajo që PS-ja ka në këto zgjedhje është një ripërtëritje me prurje të reja dhe, nëse doni të votoni të rinj, mund t’i gjeni në listat e PS-së. Lajmi më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve është se çerek milioni bashkatdhetarë do të votojnë për herë të parë, ndaj kanë marrë një peshë historike, sikurse fakti që ky është mandati që do t’i japë çdo shqiptari pasaportën europiane.”
Balla hodhi poshtë pretendimet për karakterin nepotik në përzgjedhjen e disa kandidatëve, duke thënë se qesharake është të vendosësh babanë në listë, siç po bëjnë disa parti të vogla, dhe jo e kundërta, që brezat e rinj vazhdojnë traditën e etërve.
“Nuk tha njeri gjë se pas George Bush u zgjodh i biri. Qesharake e bën kur je vetë dhe vë babanë në listë. Secili përfaqëson veten e tij, s’ka rëndësi i biri apo e bija e kujt je. Në listat e PS-së është komplet një qasje tjetër. Secili ka një arsye pse është në atë listë. Kemi edhe përfaqësues të diasporës në listën tonë, që kanë arritur sukseset e tyre në përpjekjet për t’u integruar në shoqëritë përkatëse ku emigruan dhe tani kthehen si përfaqësues të denjë të komunitetit që do t’i votojë ata masivisht. Rëndësi ka të mos vendosësh babanë.”
I pyetur për kandidatët e tjerë që janë të përfshirë në çështjet e drejtësisë, Balla tha se për të gjithë vlen parimi i prezumimit të pafajësisë.
“Dëgjova njërin dje që e kam kallëzuar për korrupsion. Ai tha se nuk kam pasur asnjë ministër nën akuzë, ndërkohë që është vetë. Megjithatë, për të gjitha rastet që përmend, vlen një e drejtë e madhe që është prezumimi i pafajësisë dhe, sa kohë që ligji për dekriminalizimin e ka parashikuar qartë që vetëm me vendim të formës së prerë mohohet e drejta për të kandiduar, ligji vetëm zbatohet, nuk komentohet.”
Balla rikujtoi se është Partia Socialiste që e ka mbështetur reformën për drejtësi.
“Po të mos kishte qenë Partia Socialiste, nuk do të kishte ndodhur ngritja e SPAK-ut, e GJKKO-së dhe të gjitha këto institucione që meritojnë respekt. PS-ja është e vetmja garanci që këto institucione ta bëjnë punën. Përballë është një palë që zotohet se do t’i zhbëjë. Vlen i njëjti parim për rastin Veliaj: sa kohë që s’kemi vendim gjykate, vlen prezumimi i pafajësisë.” përfundoi Balla intervistë në Klan news nga Kreta ku nesër zhvillohet një takim i madh me shqiptarë me pjesëmarrjen e kryeministrit Rama e më pas turi vazhdon në Athinë.