
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Kryetarëve, u bëri thirrje përfaqësuesve të opozitës që të respektojnë rregulloren dhe të mos shtrembërojnë deklaratat e mazhorancës.
“Ju lutem mos na shtrembëroni atë që themi. Po jua përsëris: kur flisni ju, asnjë nuk pipëtin nga ana jonë. Të njëjtën gjë duhet të bëni dhe ju,” tha Balla, duke kërkuar një klimë më të qetë debati.
Ai theksoi se fjala duhet t’i jepet secilit sipas rregullores, pa ndërhyrje apo ndërprerje.
“Le t’i japim fjalën njëri-tjetrit që të kemi mundësi të flasim të gjithë.”
Balla gjithashtu kërkoi respekt për Kryeministrin gjatë seancave plenare.
“Që nga dita e parë kemi thënë: kur merr fjalën Kryeministri, duhet ta respektoni. Si e përdor fjalën ai, është e drejta e tij.”
Lidhur me kërkesën e Gazment Bardhit për nisjen e një debati, Balla sqaroi se procedurat për mocionet janë të përcaktuara qartë në rregullore.
Sipas tij, fillimisht prezantohet qëndrimi pro dhe kundër, dhe më pas zhvillohet votimi.
Ai iu drejtua edhe deputetit Luçiano Boçi, duke theksuar se çështjet e ngritura nga komisionet duhet të trajtohen sipas rregullave.
“Çështja që u ngrit duhet të raportohet sipas nenit 33 të rregullores, por nuk mund të paraqitet këtu në Konferencën e Kryetarëve,” tha Balla.
Kreu i grupit socialist apeloi sërish për rregull, respekt dhe dialog institucional brenda Parlamentit.