Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, prezantoi Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabit, për financimin e projektit ‘Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit – Smart City’”.

 

“Marrëveshja e huas me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabit garanton një financim prej 118.5 milionë dollarësh për realizimin e këtij projekti,” informoi Balla Kuvendin.

 

Projekti SMART CITY parashikon 2,239 kamera ANPR (njohje automatike e targave) dhe 2,602 kamera PTZ për monitorimin e trafikut dhe identifikimin e shkeljeve; 3,816 kamera trupi për punonjësit e Policisë së Shtetit, të lidhura me një sistem të centralizuar për mbikëqyrje dhe reagim të shpejtë; 100 radarë inteligjentë dhe 100 sensorë zhurme për monitorimin e shpejtësisë dhe sigurinë rrugore, duke garantuar që familjet të mos shqetësohen më nga xhirimi i gomave poshtë pallateve, etj.

 

“Pas vendosjes së këtyre sistemeve, prezenca e punonjësve të policisë rrugore në rrugë nuk nuk është më e nevojshme, pasi shkeljet e kësja natyre do t’i diktojë sistemi inteligjent” tha Balla.

 

Balla falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për këtë hua.

 

“Falënderime në emër të popullit shqiptar presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe për bujarinë, të cilët edhe në rastin e tërmetit të 26 nëntorit ishin donatorët kryesorë në rindërtim me shifrën më të madhe. Sot kërkojmë miratimin tuaj për një hua me terma shumë miqësore për financimin e një projekti historik në fushën e sigurisë, një sistemi kamerash të mbështetura edhe nga inteligjenca artificiale.”

 

Me anë të këtij projekti synohet të rritet siguria publike, të përmirësohet efikasiteti i punonjësve të policisë, si dhe të ulet numri i aksidenteve rrugore.

 

“Nuk do të jenë më punonjësit e policisë pas çdo shkeljeje, por do t’i identifikojë sistemi inteligjent. Ky projekt garanton sjelljen e çdo punonjësi të policisë, por edhe mbrojtjen e tyre,” tha Balla.

 

Ky sistem do të mundësojë identifikimin në kohë reale të automjeteve dhe personave në zonat me interes prioritar, si akset kryesore rrugore dhe pikat kufitare. Pjesë e projektit është dhe siguria në shkolla.

 

“Me vendosjen e kamerave ne rruget afer shkollave do të garantojë një nivel tjetër sigurie në shkolla, që jeta dhe siguria e fëmijëve të jetë e paprekshme. Ju ftoj ta mbështesim të gjithë së bashku këtë projektligj dhe të kontribuojmë në ndërtimin e një Shqipërie më të sigurt dhe më të avancuar teknologjikisht,” deklaroi Balla.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu