Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla prezantoi projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 27-të të Bashkimit të Postar, Abidjan 2021, përfshirë ndryshimet e miratuara në Kongresin e Jashtëzakonshëm, Addis Ababa 2018, dhe në Kongresin e Jashtëzakonshëm, Gjenevë 2019, të Bashkimit të Përbotshëm Postar”.
Përmes këtij projektligji, Shqipëria jo vetëm që përmbush detyrimet e saj ndaj UPU-së, por edhe vendos një bazë të fortë për një sistem postar më të besueshëm dhe të sigurt, i cili mund të jetë lehtësisht i përdorshëm për dërgimin dhe marrjen e fletëve të votimit nga shtetasit shqiptarë që ndodhen jashtë vendit.
Vota e diasporës është një çështje e rëndësishme dhe e lidhur ngushtë me modernizimin e shërbimeve tona postare, ndaj Balla ftoi opozitën të dilte mbi urdhrat partiakë e të votonte për ratifikimin e këtyre akteve dhe dokumenteve që përmirësojnë shërbimin postar.
“Dua të them që vota e diasporës është një moment historik për demokracinë, është shlyerja e një borxhi të madh që Shqipëria i ka diasporës. Për 34 vite me radhë, që nga zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991 kur shqiptarët votuan për herë të parë, ka qenë e papranueshme heqja e së drejtës së votës për ata që jetojnë jashtë. Tani më 11 maj për herë të parë bashkatdhetarët tanë në diasporë do të votojnë dhe është në përgjegjësinë e çdo anëtari të Kuvendit të Shqipërisë, si një përfaqësues jo vetëm i atyre që jetojnë brenda, por dhe atyre që jetojnë jashtë, që të dalë mbi urdhrat politikë dhe të bashkojmë sa më shpejt votën tonë për ato pjesë që kanë të bëjnë me rregullimin e këtij procesi. Alibitë e humbjes së Sali Berishës të gjithë i kuptojmë dhe s’kanë të bëjnë aspak me këtë proces të rëndësishëm historik. Ndaj ju ftoj ta ratifikojmë aderimin e Republikës së Shqipërisë në këto akte dhe dokumente.” deklaroi Balla në kuvend duke prezantuar pr/ligjin.
Projektligji i hap rrugë harmonizimit të mëtejshëm të legjislacionit tonë me standardet më të mira botërore në këtë fushë, duke adresuar sfidat e reja të tregut postar të lidhura me rritjen e volumit të dërgesave për shkak të tregtisë elektronike.