Gjatë replikës në Kuvend, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ironizoi opozitën për përzgjedhjen e kandidatit në Tiranë, duke e quajtur “Zarin e Zenit” nga emisioni “Piranjat”. Ai u shpreh se Tirana do të votojë sërish për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, ndërsa Ogerta Manastirliu është “njeriu i duhur në kohën e duhur” për kryeqytetin:
Çfarë ke, zoti Këlliçi? Të pashë në një fotografi që ishe bashkë me dikë tjetër. Pse e mbani fshehur, pse e takoni natën këtë kandidatin e bashkisë? Takohuni ditën.Vjen natën te partia se ka frikë të shfaqet me ju.Ka frikë kandidati, kujton se është në një rol të “Portokallisë” dhe i kanë thënë: “Mos dil me regjisorin.”
Pse, ka ndonjë buf në Tiranë që s’e di që regjisori është Saliu? Ato që thotë Flori i Portokallisë ia thotë Saliu në darkë.Pse kaq turp ju ka zënë, që ju thotë kandidati: “Aman, nuk dal me ju se s’më voton njeri”?
Si ka mundësi të përfundojë PD në pikën që kandidati ka turp të dalë me udhëheqësit e partisë,se me Saliun e dimë që takohet natën.
Belind, zgjidhe këtë punë tani, siç i ke dhënë drejtim ca punëve këtu dilni me kandidatin se na turpëruat!
replika pas disa minutash:
Nuk e di pse u nxehët sa i përket kandidatit.
Ju e dini si dilni me ne në Tiranë.
E para: objektivin e kemi t’jua dyfishojmë diferencën.
Nga 40 që e kishim me ty, do ta çojmë në 80 diferencën, sepse Tirana voton Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.
O Belind, Tirana voton Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, dhe Ogerta Manastirliu është njeriu i duhur në kohën e duhur për të shëruar edhe disa probleme të tjera që ka Tirana.
Ndërkohë që ju jeni aq të paaftë, sa në vend që të dilte njëri prej jush si kandidat, s’ua mbajti, dhe në fund e di si do të thoni:
“Po futëm këtë, prandaj humbëm kaq thellë, se po të kishte dalë ndonjëri nga ne, do humbnim pak më pak.”
Me këtë e keni thjeshtë.
Sepse morët Zarin e Zenit te “Piranjat” dhe e bëtë kukullën e Saliut për në Tiranë.
Kujtoni ju se Tirana s’e njeh “Zarin” e Zenit?
Ja, do ta shihni kur të votojë Tirana.