Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Edicionit të 10-të të Shkollës së Integrimit Europian, organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Balla i cili është edhe Nën. Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian theksoi se Shqipëria është sot më e angazhuar se kurrë për të ecur në rrugën e integrimit europian dhe për të forcuar vlerat mbi të cilat ngrihet Bashkimi Europian – paqen, demokracinë, solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet kombeve.
“Integrimi europian mbetet rruga jonë strategjike dhe qëllimi ynë i përbashkët – për një Shqipëri më të fortë në një Europë të bashkuar,” – u shpreh Balla, duke cituar njërin prej etërve themelues të Europës së Bashkuar, Altiero Spinelli, i cili në Manifestin e Ventotenes theksonte se “E ardhmja nuk do të ndërtohet mbi ndarjen e shteteve kombëtare, por mbi bashkimin e tyre në një federatë evropiane.”
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste vlerësoi faktin që Shkolla e Integrimit Europian, tashmë në edicionin e saj të dhjetë, është kthyer në një traditë të qëndrueshme të Kuvendit dhe një platformë të rëndësishme për ndarjen e njohurive dhe përgatitjen e profesionistëve të rinj për procesin e integrimit.
Në dhjetë vite, shkolla ka trajnuar 404 pjesëmarrës nga administrata publike, pushteti vendor, shoqëria civile, akademia, media dhe biznesi, duke krijuar një rrjet të gjerë ekspertësh që kontribuojnë sot në institucione kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Kjo shkollë ka qenë një investim i çmuar në formimin e brezit të ri që do të çojë përpara projektin më të madh kombëtar të këtij brezi – anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian,” – u shpreh Balla.
Gjatë fjalës së tij, ai iu referua edhe raportit më të fundit të Komisionit Europian, i cili vlerëson progresin e Shqipërisë si “të pashembullt që prej Konferencës Ndërqeveritare të tetorit 2024”, ndërsa theksoi se 91% e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Procesi i integrimit është një proces gjithëpërfshirës, që kërkon bashkëpunimin e të gjitha forcave politike dhe institucioneve. Anëtarësimi në BE nuk është thjesht një objektiv qeveritar, por një projekt kombëtar që i përket çdo shqiptari,” – tha Balla, duke shtuar se Kuvendi i Shqipërisë, përmes Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, do të vijojë të forcojë rolin e vet në mbikëqyrjen parlamentare dhe në nxitjen e transparencës në këtë proces.
Në përmbyllje, Balla falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për kontributin në zhvillimin e kapaciteteve profesionale të të rinjve shqiptarë.
“Ky përvjetor nuk është vetëm një moment reflektimi për rrugën e bërë, por një pikënisje e re drejt një etape më të pjekur të procesit tonë europian,” – përfundoi Balla.
Fjala e plotë:
I nderuar Kryetar,
I nderuar Ambasador Silvio,
Të nderuar partnerë,
Altiero Spinelli, një nga etërit themelues të idesë së Europës së Bashkuar, në veprën e tij “Manifesti i Ventotenes” të vitit 1941, do të shkruante:
“E ardhmja nuk do të ndërtohet mbi ndarjen e shteteve kombëtare, por mbi bashkimin e tyre në një federatë evropiane.”
Shqipëria sot është më e angazhuar se kurrë më parë në historinë e saj për vlerat që përbëjnë themelin e Bashkimit Europian: paqen, demokracinë, solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet kombeve.
Integrimi europian mbetet rruga jonë strategjike dhe qëllimi ynë i përbashkët, për një Shqipëri më të fortë në një Europë të bashkuar.
Dhe sot, teksa shënohen 36 vite nga rënia e Murit të Berlinit, kujtojmë se Europa ende nuk është plotësisht e bashkuar.
I takon vendim-marrjes së duhur në kohën e duhur të Bashkimit Europian që, në këto kohë të vështira për kontinentin tonë, të rikthehet tek këshillat e mençura të etërve themelues, duke mundësuar një valë të re zgjerimi brenda kësaj dekade.
Të nderuar pjesëmarrës të Shkollës së Integrimit Europian,
Mirë se erdhët në ceremoninë e dhjetëvjetorit të Shkollës së Integrimit Europian!
Më vjen mirë që tashmë Shkolla e Integrimit Europian është kthyer në një traditë të konsoliduar të Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshilli Kombëtar të Integrimit Europian,
ku përgjatë një dekade në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë: Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA),
Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë,
dhe Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung,
është mundësuar realizimi i këtij projekti të përbashkët në ndarjen e dijeve për procesin e integrimit.
Gjatë këtyre dhjetë viteve Shkolla ka pasur mbi 2000 aplikues, ku janë përzgjedhur 404 pjesëmarrës të cilët kanë përfaqësuar sektorë të ndryshëm të shoqërisë.
Dhe më konkretisht, nëpërmjet Shkollës tashmë janë trajnuar dhe kanë njohuri në procesin e integrimit:
•51 përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile;
•49 përfaqësues nga pushteti vendor;
•123 përfaqësues nga pushteti ekzekutiv;
•36 përfaqësues nga institucionet e pavarura;
•21 përfaqësues nga media;
•42 përfaqësues nga akademia (lektorë dhe kërkues);
•29 përfaqësues nga grupe të tjera si biznesi, sindikatat, dhomat e avokatisë e noterisë, minoritetet etj.;
•41 përfaqësues nga administrata e Kuvendit si dhe ish-deputetë;
•12 përfaqësues nga Shkolla e Akademisë Diplomatike të Brukselit.
Me krenari e theksoj që Shkolla përgjatë kësaj dekade ka pasur lektorë të nderuar nga Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian, Kolegji i Evropës, Universiteti i Oksfordit, Universiteti Westminster, Universiteti i Strasburgut, Universiteti i Gracit,
si dhe ekspertë ndërkombëtarë e rajonalë nga vende që e kanë përfunduar procesin e negociatave si Kroacia dhe Bullgaria, apo që e po e kalojnë si Mali i Zi, si dhe ekspertë nga media, biznesi dhe shoqëria civile.
Më vjen mirë kur shoh se shumë prej studentëve të Shkollës së Integrimit Europian kanë ngjitur shkallët e suksesit deri në nivel ministri, zëvendësministri, sekretar të përgjithshëm, drejtorë të përgjithshëm apo drejtorë ekzekutivë në organizata të shoqërisë civile e përfaqësues të medias me programe të dedikuara për integrimin europian.
E mbi të gjitha ndihemi krenarë sot pasi  edhe pas një dekade, interesi për të qenë pjesë e kësaj shkolle mbetet ende i lartë.
Pikërisht për shkak të suksesit ndër vite,
Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian,
mbeten plotësisht të angazhuar për ta vijuar këtë traditë të suksesshme dhe për të forcuar edhe më tej rrjetin e ekspertizës shqiptare për procesin e negociatave,
duke rritur njohuritë dhe ndërgjegjësimin e të gjithë aktorëve të përfshirë pasi integrimi në BE nuk është një projekt vetëm i Institucioneve por I pvrket mbarë kombit shqiptar.
Të nderuar të pranishëm,
Ky përvjetor i dhjetë vjen në një moment të rëndësishëm për vendin tonë.
Pas hapjes së pesë grupkapitujve të negociatave dhe përparimit të arritur në grupkapitullin e parë “Themeloret”,
Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe thelbësore të procesit të integrimit europian.
Vetëm pak ditë më parë, Komisioni Europian publikoi raportin më të fundit për Shqipërinë,
ku theksohet se “Shqipëria ka bërë progres të pashembullt” që prej Konferencës Ndërqeveritare të tetorit 2024,
ndërsa në nëntor pritet të hapet edhe grupkapitulli i fundit.
Ky është një vlerësim i qartë për angazhimin politik të Shqipërisë,
për përkushtimin institucional në zbatimin e reformave,
por edhe për aspiratat e qarta të shoqërisë shqiptare,
ku 91% e qytetarëve shprehen se duan anëtarësimin në Bashkimin Europian, siç e theksoi Komisionerja për Zgjerimin, Znj. Marta Kos.
Procesi i negociatave me Bashkimin Europian është një proces gjithëpërfshirës, kombëtar dhe institucional, ku secili sektor ka rolin e tij.
Në këtë kuadër, Kuvendi i Shqipërisë është i angazhuar për të ushtruar funksionin e tij kushtetues të mbikëqyrjes parlamentare të procesit të integrimit, për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie.
Përmes Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Kuvendi mbetet ura e bashkëpunimit të të gjitha forcave politike dhe aktorëve të shoqërisë shqiptare në këtë proces të përbashkët.
Në këto dhjetë vite, Shkolla e Integrimit Europian ka qenë një shkollë e dijes dhe e përvojës, ku janë ndarë njohuri, modele, histori suksesi e sfida nga vendet e rajonit dhe ato anëtare të BE-së.
Kjo përvojë është sot një pasuri që na ndihmon të kuptojmë më mirë kërkesat e acquis, të forcojmë administratën publike dhe të përgatisim ekspertizën që vendi ynë ka nevojë në negociatat sektoriale.
Të dashur pjesëmarrës,
Në emër të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian,
dua t’ju uroj suksese në këtë javë trajnimesh e diskutimesh.
Uroj që kjo përvojë të shërbejë si një hap më shumë në rrugën e përgatitjes së brezit të ri të profesionistëve që do të çojnë përpara projektin më të madh kombëtar të këtij brezi, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në përmbyllje, dua të falënderoj edhe njëherë partnerët tanë të çmuar për mbështetjen e pandërprerë dhe për besimin që kanë treguar në këtë bashkëpunim institucional, akademik dhe qytetar.
Le ta shohim këtë edicion jubilar jo vetëm si një përvjetor, por si një pikënisje të re drejt një etape më të pjekur të procesit tonë europian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu