Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka mbajtur sot një deklaratë të gjatë në Kuvend, duke iu përgjigjur akuzave të ngritura nga opozita mbi largimin e fondacioneve gjermane nga Shqipëria. Ai i cilësoi pretendimet si “përralla politike” dhe “përrua psikik”, duke theksuar se vendimet e fondacioneve lidhen vetëm me riorganizime të brendshme dhe jo me politikën shqiptare.

Balla falënderoi fillimisht fondacionin gjerman “Hanns Seidel”, duke kujtuar kontributin e tij prej më shumë se 30 vitesh në forcimin e institucioneve demokratike, trajnimin e administratës, mbështetjen për institucionet e drejtësisë, Policinë e Shtetit dhe pushtetin vendor.

Ky fondacion ka asistuar Shqipërinë që prej ditëve të para të pluralizmit politik. Vendimi i tyre lidhet me një shkurtim fondesh nga qeveria federale gjermane, jo me ndonjë përzënie nga Shqipëria,“ theksoi Balla.

Ai kritikoi ashpër deklaratat e një deputeti të opozitës, duke i cilësuar si keqinformim dhe manipulim politik:
Të thuash se fondacioni ‘Hanns Seidel’ po ikën se nuk i pëlqen Shqipëria, është thjesht mashtrim. Dhe pastaj të përfshish edhe ‘Konrad Adenauer’ në këtë rrëfim politik, kjo nuk ka asnjë lidhje me realitetin.

Sipas Ballës, fondacioni Konrad Adenauer bashkëpunon tradicionalisht me Partinë Demokratike, ndaj nuk ka logjikë që qeveria shqiptare të ketë rol në vendimet e tyre. Po ashtu, ai kujtoi se fondacioni Friedrich Ebert vazhdon të qëndrojë aktiv dhe me zyrë rajonale në Tiranë.

“Fondacionet rifokusohen, nuk largohen”

Balla theksoi se pas vitit 2030 disa fondacione mund të ristrukturojnë praninë e tyre në Ballkan, por kjo lidhet vetëm me politikat e reja të financimit të qeverisë gjermane.

Këto janë vendimmarrje normale. Fondacionet rifokusohen në vende ku ka më shumë nevojë. Shqipëria nuk po përzë askënd.

Shqipëri–Gjermani, marrëdhënie në nivel historik

Balla rikujtoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë kanë arritur nivelin më të lartë ndonjëherë, duke përmendur vizitat historike të:

  • Kancelares Angela Merkel (8 korrik 2015)
  • Kancelarit Olaf Scholz, menjëherë pas marrjes së detyrës
  • Kryeministrit të Bavarisë dhe kreut të CSU-së, Markus Söder

Ai shtoi se Gjermania është partneri kryesor i Shqipërisë brenda BE-së, me mbi 1.3 miliardë euro financime direkte.

Fokus i ri te landet gjermane

Balla i bëri thirrje qeverisë dhe Kuvendit të intensifikojnë bashkëpunimin me landet gjermane, duke përmendur veçanërisht:

  • Bavaria
  • North Rhine–Westphalia
  • Rheinland-Pfalz

Ai përmendi edhe rolin e komunitetit shqiptar me mbi 250 mijë bashkatdhetarë që jetojnë sot në Gjermani.

Marrëdhënia me diasporën nuk është vetëm votë çdo 4 vjet. Është zhvillim, projekte dhe bashkëpunim afatgjatë.

Thirrje për konstituimin e grupeve të miqësisë

Balla kërkoi që, sapo PD të paraqesë emrat, të konstituohen të gjitha grupet e miqësisë parlamentare, duke theksuar se Bundestagu ka një grup të posaçëm për vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu