
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e cilësoi ceremoninë shtetërore të përcjelljes së ish-kryetarit të PS dhe ish-Kryeministrit, si “kongresi” i fundit me Nanon, duke iu referuar vendit ku Fatos Nanos iu bënë nderimet më të larta dhe ku tradicionalisht zhvillohen kongreset e PS-së.
Në këtë godinë sot Nano nuk bashkoi vetëm socialistë, por edhe kundërshtarë politikë të mazhorancës, personalitete shtetërore dhe liderë nga trojet shqipfolëse në rajon.
“LAMTUMIRË”, shkroi Balla në postimin e tij në Facebook, të shoqëruar me pamjet teksa hynte për homazhe në Pallatin e Kongreseve, pa dyshim ndër çastet më të trishtuara në karrierën e tij politike, të cilën e kishte nisur në vitin 2004, pikërisht si anëtar i kabinetit të Kryeministrit Nano, për t’u bërë më pas një nga politikanët më të zëshëm të mazhorancës sot.
Por ai kurrë nuk harroi mjeshtrin e orëve të para, që e mësoi në fillimet e tij, as sa ishte gjallë, dhe e falënderoi publikisht edhe në ditën që Nano u nda nga kjo botë për mësimet që i kishte dhënë Ballës dhe gjithë socialistëve të tjerë.







