Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot pas Konferencës së Kryetarëve, ku opozita kërkoi ripërsëritjen e seancës për qeverinë dhe shkarkimin e kryetarit Niko Peleshi, se ky i fundit ka zbatuar rregulloren dhe se kërkesa e opozitës është e pabazuar. Balla theksoi se kërkesat e ngritura nga opozita nuk qëndrojnë dhe se miratimi i qeverisë u bë pa debat, sipas nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, që është shumë i qartë. Dhe fjala që u kërkua prej opozitës përbënte shmangie të këtij neni sipas tij.

“Problematikat e ngritura nga opozita nuk qëndrojnë. Kërkesa për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit është një histori e vjetër që përsëritet nga ana e opozitës në çdo legjislaturë. Sot, në konferencën e kryetarëve, kjo çështje u diskutua dhe u bë e qartë nga kryetari i Kuvendit, i cili autorizoi menjëherë edhe Këshillin e Legjislacionit, ku sipas rotacionit i takon deputetes Greta Bardeli ta drejtojë”, tha Balla.

Ai sqaroi gjithashtu se mungesa e kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, në konferencën e kryetarëve është e pajustifikuar, pasi ai është përjashtuar vetëm nga seancat dhe komisionet, por jo nga aktivitetet e tjera parlamentare.

“Në zbatim të një jurisprudence të pasur të Gjykatës Kushtetuese, deputeti mund të përjashtohet nga seanca apo komisionet, por jo nga aktivitetet e tjera parlamentare. Besoj se kështu i kemi dhënë një zgjidhje hyrjes së deputeteve nga dritaret,” tha Balla.

Nga tre grupet parlamentare të opozitës, nuk kanë ardhur ende propozimet për kryesinë, ndërsa katër komisionet më të rëndësishme pas vendimit të Kuvendit i takojnë opozitës dhe shtatë nënkryetarë i takojnë gjithashtu opozitës.

“Duhet domosdoshmërisht që deri në ditën kur do të ketë seancën të jenë dorëzuar propozimet e tyre për përbërjen e komisioneve,” deklaroi Balla.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu